93 vjet nga vdekja e mësuesit të parë shqiptar në Kosovë

Sot bëhen 93 vjet nga vdekja e mësuesit të parë shqiptar në Kosovë dhe atdhetarit Dom Mikel Tarabulluzin, i cili vlerëson që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e arsimit dhe të Kishës në Kosovë. Mikel Tarabulluzi ka lindur në Prizren, 4 prill 1868 dhe ishte famullitar në Letnicë dhe mësues në Stubëll, si dhe…

Lajme

22/02/2026 13:24

Sot bëhen 93 vjet nga vdekja e mësuesit të parë shqiptar në Kosovë dhe atdhetarit Dom Mikel Tarabulluzin, i cili vlerëson që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e arsimit dhe të Kishës në Kosovë.

Mikel Tarabulluzi ka lindur në Prizren, 4 prill 1868 dhe ishte famullitar në Letnicë dhe mësues në Stubëll, si dhe famullitar në Gjakovë nga fundi i shekullit 19.

Ai ndoqi mësimet filozofinë e teologjinë në Seminarin Papnor të Shkodrës. Më 20 dhjetor 1890 u shugurua prift. Imzot Andrea Logoreci ka merita të mëdha në mbrujtjen e Dom Mikelit të ri, si për thirrjen priftërore ashtu edhe për atë të shqipes.

Një kohë dom Mikeli shërben në Pejë, kurse në fillim të vitit 1896 emërohet famullitar i Karadakut, përkatësisht i Letnicës, ku gravitonin Stublla Epërme, Binça dhe disa katunde të tjera.

Pikërisht në këtë vit, me angazhimin e tij, por edhe të bemirësisë së familjes së Sedovytëve, është siguruar shtëpia në pasurinë e kësaj familje, që do të shërbejë për kishë dhe më vonë për shkollë.

Më 1 mars 1905, në një kohë kur identiteti shqiptar përndiqej, ai themeloi zyrtarisht Shkollën Shqipe në Stubëll. Shkolla kishte funksionuar fshehurazi që nga viti 1896 si paralelë e asaj në Letnicë. Kjo shkollë tash njihet edhe si shkolla e parë shqiptare në Kosovë. Përveç shërbesës meshtarake, ai ishte edhe mësues i drejtpërdrejtë i fëmijëve shqiptarë.

Më 22 shkurt 1933 ai kaloi në amshim dhe u varros në Letnicë, pranë shenjtnorës, aty ku pushojnë eshtrat e tij”, ka shkruar ai.

Më 6 tetor 2023, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se varri i Dom Mikel Tarabulluzit është shtuar në listën e Trashëgimisë Kulturore, duke e vulosur përjetësisht kujtimin dhe vlerën e tij për Letnicën dhe për mbarë Kosovën./kp