Kërkohet paraburgim për të dyshuarin për vjedhje çokollatash dhe përdorim të thikës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për qytetarin serb, N.T., i dyshuar për vjedhje të çokollatës “Nutella” dhe përdorim të thikës gjatë tentativës për arratisje. Sipas kërkesës së prokurorit Paulin Pashku, ngjarja ka ndodhur më 24 prill 2025, rreth orës 13:42, në marketin “Kam” në Prishtinë. I dyshuari ka marrë çokollata “Nutella”…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për qytetarin serb, N.T., i dyshuar për vjedhje të çokollatës “Nutella” dhe përdorim të thikës gjatë tentativës për arratisje.
Sipas kërkesës së prokurorit Paulin Pashku, ngjarja ka ndodhur më 24 prill 2025, rreth orës 13:42, në marketin “Kam” në Prishtinë. I dyshuari ka marrë çokollata “Nutella” në vlerë mbi 20 euro dhe është larguar pa paguar.
Prokuroria e ngarkon N.T.-në me veprën penale “Vjedhje”, sipas nenit 313, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Por incidenti nuk mbaroi me kaq. Në rrugën “Marin Barleti”, pasi ishte ndjekur nga dy qytetarë, E.A. dhe R.G., i dyshuari dyshohet se ka përdorur thikën për t’i frikësuar, duke iu thënë dëshmitarëve “lirona rrugë” përderisa ka mbajtur thikën në dorë.
Për këtë veprim, Prokuroria po e ngarkon N.T.-në edhe me veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”, bazuar në nenin 163 të KPRK-së.
Seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit është mbajtur para gjyqtarit të procedurës paraprake, Adnan Kamberi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë./Betimi për Drejtësi/