90 minuta drejt historisë: Kosova përballë Turqisë për biletën e Botërorit
Shumë pak kohë na ndan nga sfida më e madhe në historinë e futbollit të Kosovës. Përballja vendimtare me Turqinë, finalja e madhe e “play-off”-it për një vend në Kampionatin Botëror, luhet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Atmosfera në Kosovë është elektrizuese, ndërsa çdo detaj tashmë është përgatitur për një…
Lajme
Shumë pak kohë na ndan nga sfida më e madhe në historinë e futbollit të Kosovës.
Përballja vendimtare me Turqinë, finalja e madhe e “play-off”-it për një vend në Kampionatin Botëror, luhet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Atmosfera në Kosovë është elektrizuese, ndërsa çdo detaj tashmë është përgatitur për një mbrëmje që premton emocion, krenari dhe histori.
Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar videon përmbyllëse para kësaj përballjeje të jashtëzakonshme, duke ndezur edhe më tej entuziazmin e tifozëve. Në mesazhin shoqërues, FFK-ja thekson se gjithçka është gati për finalen e madhe ndaj Turqisë dhe se sonte luhet për ëndrrën më të madhe të futbollit kosovar.
Pak para nisjes së takimit, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një mesazh të mbështetjeje për “Dardanët”, përmes një videoje motivuese. Ajo i ka cilësuar futbollistët simbol të qëndresës, guximit dhe shpresës, duke nënvizuar se i gjithë vendi është pranë tyre në këtë natë të madhe.
Mbështetje publike ka ardhur edhe nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili u ka uruar sukses futbollistëve të Kosovës para ndeshjes së sontme. “Sonte, zemra e Kosovës, por edhe e gjithë shqiptarëve anembanë, rreh në një ritëm. Për fanellën, për fitoren, për ëndrrën që e kemi pritur kaq gjatë. Në Stadiumin “Fadil Vokrri”, djemtë tanë luajnë për historinë. Për sakrificat e gjata e të vështira. Ta gëzojmë kombin me kualifikim!”
Mbështetje Kosovës i dha edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Sonte i gjithë kombi është me ju. Fitojeni këtë betejë, shkruani historinë. FORCA KOSOVË! 🇽🇰🇦🇱🦅”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të rëndësisë së veçantë të kësaj ndeshjeje finale të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie në bashkërendim me institucionet përgjegjëse dhe organizatorët. Prania policore do të jetë e shtuar jo vetëm në stadium, por edhe në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, si dhe në tri zona të posaçme të dedikuara për tifozët.
Po ashtu, autoritetet kanë paralajmëruar bllokime të përkohshme në disa prej rrugëve kryesore të Prishtinës, përfshirë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugën “Tirana” në drejtim të stadiumit. Kufizime të qarkullimit pritet të ketë edhe në perimetrin përreth stadiumit, si dhe në segmente të tjera rrugore gjatë lëvizjes së delegacioneve dhe pas përfundimit të ndeshjes.
Institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e Policisë, të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike përgjatë gjithë kësaj ngjarjeje madhore sportive.