9 deputetët e Listës Serbe nuk bëjnë zgjidhje, Dimal Basha propozon të vazhdohet me short
Deputeti Igor Simiq, njëjtë si të gjithë deputetët e tjerë të Listës Serbe, dështoi të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar. Kështu, tani nuk ka mbetur asnjë deputet nga Lista Serbe që mund të propozohet për ta marrë postin e nënkryetarit. 9 propozime të Listës Serbe nuk arritën që të bëjnë zgjidhje. Deputetët…

Lajme
Deputeti Igor Simiq, njëjtë si të gjithë deputetët e tjerë të Listës Serbe, dështoi të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar.
Kështu, tani nuk ka mbetur asnjë deputet nga Lista Serbe që mund të propozohet për ta marrë postin e nënkryetarit.
9 propozime të Listës Serbe nuk arritën që të bëjnë zgjidhje. Deputetët morën vetëm nga 9 vota për.
I vetmi deputetet i mbetur nga komuniteti serb është Nenad Rashiq, i cili megjithatë vjen nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Kësisoj kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha njoftoi se do të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit përmes formës së shortit.
Basha tha se Nenad Rashiq do t’i nënshtrohet procesit të shortit si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Rashiqi vjen nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Meqë po refuzohet të propozohet kandidati i mbetur, i cili po ashtu përfaqëson komunitetin serb, që është në harmoni të plotë me nenin 67 të Kushtetutës, atëherë në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, jam i detyruar të vazhdoj me procedurës e shortit si mekanizëm zhbllokues”, tha Basha.
Simiq nga Lista Serbe tha se nëse do ta propozonte dikë tjetër, do të ishte “shkelje kushtetuese”.
“Ne mund të propozojmë sërish dikë nga komuniteti serb, por vetëm këta kandidatë [të propozuar më parë] kanë të drejtë në bazë, të Kushtetutës dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit. Gjithçka tjetër do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores. Kjo pozitë i takon vetëm grupit të Listës Serbe”, tha ai.
Vetëvendosje vazhdimisht ka bërë thirrje që Nenad Rashiq të votohet për nënkryetar nga komuniteti serb./Lajmi.net/