“73 milionë euro harxhohen për 3-4 muaj”, Ymeri kritikon kontratën e KEK-ut me Maqedoninë e Veriut
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar marrëveshjen e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me Maqedoninë e Veriut për shitjen e qymyrit. Përmes një reagimi në Facebook, Ymeri ka krahasuar vlerën e kontratës trevjeçare, prej 73 milionë eurosh, me shumën që, sipas saj, Kosova shpenzon për importin e energjisë elektrike. Ajo ka deklaruar…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar marrëveshjen e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me Maqedoninë e Veriut për shitjen e qymyrit.
Përmes një reagimi në Facebook, Ymeri ka krahasuar vlerën e kontratës trevjeçare, prej 73 milionë eurosh, me shumën që, sipas saj, Kosova shpenzon për importin e energjisë elektrike.
Ajo ka deklaruar se e gjithë vlera e kontratës së KEK-ut për tri vite harxhohet nga qytetarët për import të rrymës brenda vetëm tre deri në katër muaj.
“Vlera e fituar nga kontrata e KEK me Maqedoninë e Veriut për 3 vjet kohë, harxhohet përafërsisht për 3-4 muaj nga xhepat tanë në import të rrymës”, ka shkruar Ymeri.
Deputetja e LDK-së e ka përdorur këtë krahasim për të kritikuar politikat e Qeverisë në sektorin energjetik, duke pyetur se sa është përfitimi real për qytetarët nga kjo marrëveshje.
“3 vjet kontratë për para që harxhohen për 3 muaj. Qe sa është profitabiliteti i kësaj kontrate”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Ymeri ka theksuar se 73 milionë euro përbëjnë një shumë të madhe për qytetarët, duke shkruar: “Kaq pak po vlejnë, 73 milionë Euro të varfërisë sonë”.
Ajo më herët ka kritikuar edhe importin e energjisë elektrike dhe ka kërkuar rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit, përfshirë investimet në burime të ripërtëritshme. /Lajmi.net/