72% e drejtorive komunale drejtohen nga burrat – barazia gjinore mbetet vetëm në letër
Instituti GAP ka publikuar një analizë të përfaqësimit gjinor në udhëheqjen komunale në Kosovë, duke nxjerrë në pah një hendek të theksuar mes burrave dhe grave në pozitat vendimmarrëse lokale. Nga të dhënat e mbledhura në 30 komuna të vendit, rezulton se nga gjithsej 337 drejtori komunale, 243 prej tyre (72%) udhëhiqen nga burra, ndërsa…

Lajme
Instituti GAP ka publikuar një analizë të përfaqësimit gjinor në udhëheqjen komunale në Kosovë, duke nxjerrë në pah një hendek të theksuar mes burrave dhe grave në pozitat vendimmarrëse lokale.
Nga të dhënat e mbledhura në 30 komuna të vendit, rezulton se nga gjithsej 337 drejtori komunale, 243 prej tyre (72%) udhëhiqen nga burra, ndërsa vetëm 94 (28%) nga gra. Ky raport tregon për një pabarazi të theksuar në ndarjen e pushtetit lokal mes gjinive, transmeton lajmi.net.
Sipas raportit, hendeku më i madh gjinor vërehet në Komunën e Klinës dhe atë të Novobërdës, ku të gjitha drejtori komunale drejtohen nga burra.
Në anën tjetër, disa komuna kanë bërë hapa përpara drejt barazisë. Komuna e Gllogocit ka arritur një shpërndarje të barabartë, me gjashtë drejtori të udhëhequra nga gra, nga gjithsej 12.
Ndërsa përfaqësimi më i lartë i grave në udhëheqje është regjistruar në Obiliq dhe Hani i Elezit, ku gratë udhëheqin më shumë se gjysmën e drejtorive komunale.
Pabarazi gjinore vërehet edhe në përbërjen e kuvendeve komunale. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga viti 2021, në 38 komuna të Kosovës janë gjithsej 1,004 anëtarë të kuvendeve komunale, prej tyre 639 burra (64%) dhe vetëm 365 gra (36%).
Instituti GAP thekson se këto të dhëna tregojnë për nevojën e rritjes së përfaqësimit të grave në nivelet vendimmarrëse lokale dhe zbatimin më të mirë të politikave për barazi gjinore në qeverisjen komunale./lajmi.net/