71 vëzhgues europianë për balotazh

Misioni i Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka angazhuar 71 vëzhgues që vijnë nga shtetet e BE’së si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra.

Lajme

29/11/2013 11:40

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (BEMVZ), ka njoftuar sot se për zgjedhjet e 1 dhjetorit ky mision ka angazhuar edhe 31 Vëzhgues Afatshkurtër, në mënyrë që të monitorojnë zgjedhjet e balotazhit për Kryetar Komune, në të gjitha Komunat e Kosovës.

Ky mision për këtë zgjedhje do të ketë të angazhuar gjithsej 71 vëzhgues, të shpërndarë në të gjitha Komunat e Kosovës, prej tyre 20 do të jenë Vëzhgues Afatgjatë.

Zëvendësshefi i këtij Misioni, Peter Palmer tha se me këtë shpërndarje të vëzhguesve do të ndihmohet të rritet besimi në zgjedhje.

“Shpresoj që prania e Misionit të BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të ndihmojë në rritjen e besimit në procesin zgjedhor dhe se njerëzit do të inkurajohen që të votojnë në një mjedis paqësor”.

Vëzhguesit që do të vijnë në Kosovë, janë prej 26 shteteve anëtare të BE’së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra.

Detyra e vëzhguesve të BE’së është që të monitorojnë hapjen e vendvotimeve, procesin e votimit dhe atë të numërimit.

Pas 1 dhjetorit, Misioni i BE’së do të paraqes një vlerësim preliminar të procesit, ndërkaq raporti final do të jetë i gatshëm në fillim të vitit 2014.