62 vota për- Miratohet buxheti rreth 4 miliardë euro i vitit 2026
Në Kuvendin e Kosovës është arritur që të votohet shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Në Kuvend këtë të premte u arrit votimi dhe miratimi i ligjin për buxhetin shtetëror në vlerë rreth 4 miliardë euro, me gjithë kundërshtimet dhe ankesat e opozitës. Në…
Lajme
Në Kuvendin e Kosovës është arritur që të votohet shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Në Kuvend këtë të premte u arrit votimi dhe miratimi i ligjin për buxhetin shtetëror në vlerë rreth 4 miliardë euro, me gjithë kundërshtimet dhe ankesat e opozitës.
Në këtë votim morën pjesë 98 deputetë.
62 vota ishin për, 36 ishin kundër dhe asnjë abstenim, raporton lajmi.net.
Me këtë rast, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu deklaroi se Kuvendi miratoi ligjin numër 10 mbi ndarjet buxhetore.
Ligji tani do t’i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për dekretim, para se të hyjë në fuqi.
Votimi erdhi pasi komisioni për buxhet, punë dhe transfere bëri ndryshime dhe i miratoi ato në ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Projektligji parasheh që buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 të jetë rreth 4 miliardë euro.
Ministri i Financave i Qeverisë së Kosovës, Hekuran Murati pati deklaruar se miratimi i këtij projektligji është nevojë emergjente.
“Është një buxhet që kufiri i shpenzimit është përafërsisht 4 miliardë euro apo 3 miliardë e 967 milionë euro. Këto shpenzime mund të zbërthehen në kategori: paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliard e 358 milionë euro, si dhe shpenzime kapitale 998.4 milionë euro apo 897 milionë euro të financuara nga granti apo buxheti i rregullt, si dhe 100 milionë euro të tjera të financuara nga klauzola e investimeve”, ka thënë Murati.
Ai përmendi se ky projektligj është dashur të miratohej në tetorin e vitit të kaluar – periudhë kur Qeveria ishte në detyrë. Në mungesë të konsensusit politik, projektligji nuk ishte miratuar në Kuvend.
Murati kërkoi që projektligji të miratohet siç është propozuar, ndërsa u zotua që në mars do të ketë rishikim të tij.
Kurse në seancën e kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha deputetëve të Kuvendit se rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet pa prezantuar planin e programit të Qeverisë.
Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të partive opozitare, Kurti u tha atyre se duhet të pranohet se “nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tani kemi progres stabil”.
“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quo-së. Pjesërisht besoj që u përgjigja me faktin se ne duhet ta sjellim njëherë programin qeveritar dhe më pastaj rishikimin e buxhetit”, tha Kurti.
Por si parashihet të shpenzohet buxheti i vitit 2026?
Buxheti i vitit 2026 parashihet të arrijë në rreth 4 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi tre miliardë euro janë ndarë për nivelin qendror, ndërsa 867 milionë euro për nivelin lokal.
Për investime kapitale, të cilat shihen si shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik, janë planifikuar 998 milionë euro, ose 7.2% më shumë krahasuar me vitin 2025 (931 milionë euro).
Megjithatë, investimet kapitale përbëjnë vetëm 25.2% të buxhetit të përgjithshëm.
Në një analizë të Institutit GAP thuhet se 81 për qind e buxhetit të projekteve kapitale në vitin 2026 është për projektet që do të vazhdojnë nga vitet e kaluara, ndërsa projektet e reja mbeten të kufizuara si në numër ashtu edhe në vlerë dhe kryesisht janë projekte të vogla.
Shpërndarja e investimeve kapitale, sipas GAP-it, nga niveli qendror në komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse më e balancuar nga aspekti partiak, duke nxjerrë në pah pabarazi.
Subvencionet dhe transferet
Kategoria me rritjen më të madhe është ajo e subvencioneve dhe transfereve, me një rritje prej 17.4%.
Sivjet janë ndarë mbi 1.3 miliardë euro, krahasuar me rreth 1.1 miliardë euro në vitin e kaluar.
Kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së disa kategorive të pensioneve, mbështetjes se lehonave dhe rritjes së asistencës sociale.
Pagat dhe shtesat për mbi 91 mijë punonjës të sektorit publik do të kushtojnë mbi 980 milionë euro, nga 916 milionë euro sa ishin në vitin 2025.
Ndërkohë, shpenzimet për mallra dhe shërbime arrijnë në 509 milionë euro, ose rreth 7 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
Në buxhet janë ndarë edhe 46 milionë euro si rezervë shtetërore për emergjenca, e njëjta shumë si në vitin paraprak, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe likuiditetit financiar.
Për herë të parë, projektbuxheti parasheh edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, për ata që kanë qenë të angazhuar në organizata buxhetore të paktën 12 muaj para marrjes së vendimit.
E barrën kryesore për mbushjen e arkës së shtetit pritet ta mbajnë Dogana e Kosovës, nga e cila parashihet të grumbullohen mbi dy miliardë euro, dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me rreth 1.2 miliardë euro të hyra të planifikuara./Lajmi.net/