600 policë të angazhuar, përfundon aksioni i madh me 22 të arrestuar për drogë, bastisje në 47 lokacione – shkatërrohet grupi kriminal

Prokuroria Speciale e Kosovës është deklaruar për aksionin e madh që u zhvillua sot. Nga ky aksion, i titulluar “Qielli i Thyer”,  22 persona të dyshuar për drogë përfunduan në praga dhe u shkatërrua një grup kriminal, transmeton lajmi.net 600 policë ishin të angazhuar në aksionin e sotshëm. Përveç të arrestuarve, nga ky aksion u…

Lajme

03/06/2025 15:16

Prokuroria Speciale e Kosovës është deklaruar për aksionin e madh që u zhvillua sot.

Nga ky aksion, i titulluar “Qielli i Thyer”,  22 persona të dyshuar për drogë përfunduan në praga dhe u shkatërrua një grup kriminal, transmeton lajmi.net

600 policë ishin të angazhuar në aksionin e sotshëm. Përveç të arrestuarve, nga ky aksion u konfiskuan narkotikë, 129 vetura, afro 135 mijë para të gatshme, armë, ora dore, fishekë etj.

Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.

Njoftimi nga Prokuroria Speciale e Kosovës:

Komunikatë e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës

REALIZOHET ME SUKSES OPERACIONI ANTI-DROGË, ARRESTOHEN 22 PERSONA

Prishtinë, 03 Qershor – Pas një hetimi disa mujorë, të martën është realizuar operacioni anti-drogë “Qielli i Thyer”, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Angazhimi dhe puna e koordinuar, e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe PSRK-së, ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë, ku janë arrestuar 22 persona.

Personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.

Aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit.

Në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve, dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.

Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.

Operacioni i koduar “Qielli i Thyer”, është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europol-it, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimi të urdhër kontrollit.

Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar.

Prokurorët e Prokurorisë Speciale, në koordinim të plotë me hetuesit policorë kanë qenë të përkushtuar në vazhdimësi për shkatërrimin e këtij grupi të organizuar kriminal.

PSRK, dhe Policia e Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë, duke theksuar angazhimin në luftimin dhe parandalimin e këtyre veprave penale, dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e shkelin ligjin./lajmi.net/