“60 mijë eurot ishin të kursimeve”-Mujka deklaroi në Polici se u vu në lajthitje kur propozoi në rend dite rastin e këmbimit të pronës

Sipas aktakuzës për korrupsion ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, Mujka ishte deklaruar para Policisë në cilësinë e të dyshuarit, ndërkaq Muzliukaj ishte mbrojtur në heshtje. Deklarimi i Mujkës më 14 korrik 2023 në Polici: Sipas aktakuzës, fillimisht thuhet se Mujka ka sqaruar se punon si kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe se nga…

Lajme

18/09/2025 10:45

Sipas aktakuzës për korrupsion ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, Mujka ishte deklaruar para Policisë në cilësinë e të dyshuarit, ndërkaq Muzliukaj ishte mbrojtur në heshtje.

Deklarimi i Mujkës më 14 korrik 2023 në Polici:

Sipas aktakuzës, fillimisht thuhet se Mujka ka sqaruar se punon si kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe se nga dhjetori 2016 e deri në nëntor 2021 ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Sa i përket objektit të ish-Bankosit, Mujka ka deklaruar se për herë të parë dëgjoi për këtë çështje në mars të 2022-ës, kur ishte kontaktuar nga gazetarët dhe se nuk e kishte idenë se për çka po flitej.

Sipas Mujkës, që nga viti 2000 e deri në vitin 2012 në atë objekt ka qenë e vendosur OSBE-ja dhe se gjatë asaj kohe ka qenë menaxher i Pronave të OSBE-së në regjionin e Mitrovicës.

Tutje, sipas Mujkës, gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e menaxherit, OSBE-ja çdo muaj kishte ndarë mjete që të paguajnë qiranë, por se Komuna asnjëherë nuk i kishte marrë me arsyetimin se nuk kishin dokumente që dëshmojnë pronësinë në atë objekt.

Aty thuhet se Mujka deklaroi se në vitin 2007, kur ishte zgjedhur Bajram Rexhepi kryetar i Komunës, ia kishte shprehur shqetësimin se Komuna po humbte çdo vit nga 18 mijë euro për shkak se nuk po mund ta dëshmonin se ishin pronarë të objektit dhe se mjetet po ktheheshin në Vjenë në selinë qendrore të OSBE-së.

Dhe se sipas Mujkës, Rexhepi kishte marrë për obligim që të interesohej për çështjen, por se Komuna sërish nuk kishte mundur të dëshmonte pronësinë e saj në këtë objekt.

Nga këto rrethana, thuhet se Mujka ka deklaruar se përherë ka qenë i bindur se objekti nuk është në pronësi të Komunës dhe se Komuna nuk mund t’ia japë askujt në këmbim dhe shfytëzim apo me qira objektin në fjalë dhe se dy afaristëve u kishte dhënë përgjigje negative edhe pse kishin shprehur interes për të marrë me qira përdhesën e këtij objekti.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mujka ka deklaruar se më 29 prill 2021, ka qenë seanca e fundit e Kuvendit Komunal ku komuna ligjërisht ka pasur të drejtë të propozojë pika të rendit të ditës e ku ndër to ishte edhe ajo e shkëmbimit të pronës komunale me atë private.

Kërkesa që të futet në rend të ditës këmbimi i një prone komunale me atë private, sipas Mujkës, kishte ardhur nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër, dhe se kur ka parë rrugën “Afrim Zhitia”, ka menduar se prona gjendet diku në periferi të qytetit.

Mujka ka deklaruar se pas konsultimit me kryetarin e Komunës, atëkohë Agim Bahtirin, e që asnjë nënshkrim sipas tij nuk ishte bërë pa u konsultuar me kryetarin, kjo pikë ishte vendosur në rend dite dhe ishte paraqitur nga kryesuesi i Kuvendit Komunal si propozim nga Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër.

Sipas Mujkës, të gjitha kërkesat që vijnë nëpër drejtoritë përkatëse të Komunës, e që kalojnë nëpër procedura përkatëse, duhet t’i paraqiten kuvendit, përndryshe mbajtja e kërkesave sipas tij në sirtar do të konsiderohet si shkelje e detyrave zyrtare.

Andaj, deklaroi se e kishte nënshkruar dokumentin, ndërsa hartimi i propozim-vendimit ishte bërë nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër.

Sipas Mujkës, propozimi ishte votuar me të gjitha votat për dhe asnjë kundër, me arsyetimin se të gjithë ishin të interesuar që të hapej rruga “Ali Zeneli”, duke shtuar sërish se nuk e kishte idenë se për cilin objekt po bëhet fjalë pasi adresa dhe sipërfaqja për të ishin të panjohura.

Ai thotë se para se të fillonin procedurat e këmbimit nuk ka pasur asnjë informatë paraprake se kjo pronë mund të këmbehet. Tha se çdo vit është obligim ligjor që të prezantohet para kuvendit për votim, lista me pronat komunale të cilat planifikohet të jepen për këmbim.

Ai deklaroi se nuk e di nëse prona në fjalë ka qenë në listën e pronave të votuara për këmbim.

Sipas Mujkës, Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër është dashur të kenë dijeni që duhet të sillen për këmbim vetëm pronat që janë në pronësi komunale.

Gjithashtu, ai tha se propozim-vendimi për këtë pronë është hartuar dhe elaboruar para asamblistëve të Kuvendit Komunal, nga drejtori Hysen Muzliukaj.

Mujka ka deklaruar se vetëm ka nënshkruar propozim-vendimin për këmbimin e pronës publike me atë private, duke bërë të mundshme futjen në rend dite, ndërsa dokumente tjera nuk ka pasur. Andaj, tha se merr përgjegjësi vetëm për nënshkrimin e këtij propozim-vendimi.

I njëjti ka shtuar se dokumenti i nënshkruar ka qenë i përgatitur nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër, duke theksuar se nuk ka qenë në dijeni se AKP-ja kishte ngritur tri padi në gjykatë për pronën në fjalë.

Mujka ka deklaruar se beson që vendimi për këmbim të pronës është dërguar në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë, mirëpo nuk ka dijeni për këtë lëndë. Tha se nuk e di nëse është nxjerrë vendim për miratim nga Qeveria.

Mujka ka mohuar se ka zhvilluar takim me zyrtarë apo agjenci që kishte pretendime për menaxhimin e pronës së ish-Bankosit.

Ndërkaq, lidhur me paratë kesh në shumën prej 60 mijë e 50 euro, të gjetura në banesën e tij gjatë urdhërkontrollit, ka deklaruar se ato janë të kursimeve të tij gjatë gjithë viteve sa ka punuar, ngase 22 vite ka punuar në organizata ndërkombëtare dhe po ashtu edhe bashkëshortja e tij punonte në bankë, prandaj ka thënë se ato të holla ishin kursime familjare. Këto para nuk i kishte deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë në APK.

Në fund, Mujka ka deklaruar se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe i indinjuar sepse ka ndodhur në kohën kur ka qenë nënkryetar i Komunës dhe se nuk ka pasur asnjë njohuri se ishte fjala për objektin e ish-Bankosit sepse nuk e ka ditur se hyrja zyrtare e objektit ishte në rrugën “Afrim Zhitia”, andaj edhe ishte vënë në lajthitje kur e kishte propozuar për rend dite në Kuvendin Komunal.

Kurse, më 26 mars 2024, Mujka u mbrojt në heshtje gjatë marrjes në pyetje në Prokurori.

Në anën tjetë, Muzliukaj në cilësinë e të pandehurit në Polici më 14 korrik 2023, u mbrojt në heshtje. Njëjtë veproi edhe në Prokurori më 26 mars 2024. /BetimipërDrejtës/