6 vjet në qeli, Hysri Selimit i vërtetohet dënimi për spiunazh

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hysri Selimi ishte dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh. Gjykata e shkallës së dytë i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e palëve. “REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe e mbrojtësit të…

Lajme

27/10/2026 10:50

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hysri Selimi ishte dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.

Gjykata e shkallës së dytë i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e palëve.

“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe e mbrojtësit të akuzuarit Hysri Selimi, avokat Ali Beka, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.55/2025 i datës 15.06.2026, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 23 tetor 2026.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 qershor 2026, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.

Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kushtëzonin anulimin e saj.

Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe nuk ka kundërthënie në mes arsyetimit dhe vendimit mbi gjykimin e të akuzuarit.

Shkalla e dytë thekson se atgjykimi i ankimuar është hartuar siç e detyron dispozita e nenit 369 të Kodit të Procedurës Penale, ashtu që arsyet që i ka dhënë gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit nuk janë në kundërshtim me përmbajtjen e shkresave të lëndës dhe provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Shkalla e dytë thekson se nga provat e administruara rrjedh se ishte pikërisht AKI që e kishte ndihmuar hetimin ndaj të akuzuarit për veprën për të cilën akuzohet.

Apeli konstaton se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se i akuzuari ka qenë në komunikim me zyrtarët e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA, dhe ka ndarë informacione të ndryshme lidhur me aktivitetet e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, për personat e radikalizuar, pjesëmarrjen e tyre në luftën në Siri.

“Gjithashtu është bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS pasi që kishte udhëtuar për në Siri, me mision të caktuar nga BIA, që ti informoj me numrin e pjesëmarrësve shqiptar në ISIS. Edhe pas vuajtjes së dënimit lidhur me pjesëmarrjen e tij në organizata terroriste, kishte vazhduar komunikimet me pjesëtarët e BIA-së dhe ishte takuar vazhdimisht me ta në territorin e Republikës së Serbisë”, thuhet në vendim.

Për këtë, thuhet që i akuzuari ishte paguar deri në 700 euro në muaj, si dhe ishte furnizuar me telefona të mençur nga BIA, me të cilët kishte komunikuar me zyrtarët e BIA-së.

Sipas Apelit, pretendimi i mbrojtjes se i akuzuari që nga kthimi nga Siria ka vepruar në koordinim me personat përgjegjës të AKI dhe se të gjitha veprimet që i ka ndërmarr sipas udhëzimeve të tyre, është pretendim i pabazuar në asnjë prove.

“Nga shkresat e lëndës nuk ka asnjë provë që dëshmon se i akuzuari ka qenë i rekrutuar nga AKI, por që hetimet ndaj të akuzuarit kishin filluar pasi që AKI e kishte paraqitur në polici të akuzuarin dhe kishte filluar vëzhgimi i tij për derisa takohej dhe komunikonte me zyrtarët e BIA-së”, vlerëson Apeli.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, thuhet se i akuzuari nuk e kishte theksuar në asnjë moment se ka bashkëpunuar me AKI, apo ndonjë pseudonim të ndonjë personi që ka bashkëpunuar apo që ka qenë i udhëzuar nga ta, për të ndërmarrë veprimet inkriminuese për të cilat është akuzuar.

Apeli thotë se i akuzuari kishte bashkëpunuar me Prokurorinë dhe kishte pranuar të gjithë bashkëpunimin e tij me BIA-në serbe përgjatë viteve, kishte pranuar secilin veprim të tij, pagesat që i ka pranuar dhe kishte shprehur pendim për veprimet e tij. Por, në asnjë pjesë të deklarimit nuk ka theksuar se ka qenë i udhëzuar nga AKI që t’i ndërmarrë ato veprime.

Më tej, në vendim thuhet se vepra penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor – spiunazhi, nuk kërkon ndarjen e informatave të klasifikuara, por vetëm hyrjen në shërbimin informativ të huaj, mbledhjen e të dhënave apo në ndonjë mënyrë tjetër të ndihmojë punën e shërbimit të tillë, e që në rastin konkret janë përmbushur elementet e kësaj vepre penale me vetë hyrjen dhe ndarjen e informatave që i kanë kërkuar, duke vepruar sipas udhëzimeve të tyre dhe duke ndihmuar BIA-n.

Ndërkaq, vlerëson se pretendimet e Prokurorisë Speciale për një dënim më të ashpër nuk janë të bazuara.