6 muaj burgim ndaj Dardan Molliqajt do t’i zëvendësohen me 2 mijë euro gjobë për sulmin ndaj zyrtarit policor

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burgim Dardan Molliqajn- kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) lidhur me akuzën për sulm ndaj zyrtarit policor në protestën e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës në vitin 2022. Ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarit do t’i zëvendësohet me…

Lajme

06/05/2025 14:18

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burgim Dardan Molliqajn- kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) lidhur me akuzën për sulm ndaj zyrtarit policor në protestën e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës në vitin 2022. Ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarit do t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë eur.

Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësja Valbonë Fejza.

Fillimisht, Molliqaj u dënua me 6 muaj burgim, por ky dënim me pëlqimin e të akuzuarit do të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

Pala e dëmtuar- Valon Braha, për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.

Meqenëse dënimi i shqiptuar nga Gjykata nuk është i njëjti i propozuar nga Prokuroria në marrëveshje për pranim fajësie, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Në shpallje nuk ishte i pranishëm Molliqaj.

Në seancën e 5 majit 2025, Gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Dardan Molliqajt.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2022, Dardan Molliqaj akuzohej se më 29 janar 2022 rreth orës 14:00, në Prishtinë, e ka sulmuar personin zyrtar- tani të dëmtuarin Valon Braha, i cili ka qenë në cilësinë e zyrtarit policor së bashku me kolegët e tij i angazhuar në planin operativ për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si rrjedhojë e protestës së organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD) për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorë, si dhe për të penguar hyrjen e protestuesve në objektin e Qeverisë.

Aktakuza thotë se i dëmtuari Braha së bashku me policët e tjerë janë vendosur në hyrje të objektit në fjalë, mirëpo edhe përkundër kësaj i pandehuri së bashku me protestuesit tjerë i kanë shtyrë zyrtarët policorë, me qëllim që të hyjnë në brendi të Qeverisë, kurse të dëmtuarin Valon Braha e ka sulmuar duke e goditur me grushtin e dorës së djathtë në fytyrë, ku si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari në fjalë ka pësuar lëndime të lehta trupore në formë të gërvishtjes në regiionin e qafës.

Për këto veprime, i akuzuari Molliqaj ngarkohej me veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi