6 ditë pa rrymë në Koliq të Prishtinës, KEDS: Shkaku i borës, janë shkaktuar dëme në rrjetin elektrik shpërndarës – Ekipet tona po intervenojnë

Ndonëse temperaturat në vendin tonë kanë rënë ndjeshëm, dhe nevoja për ngrohje nga qytetarët është rritur, në disa zona të Kosovës nuk kanë rrymë për të siguruar atë. Me një situatë të tillë po përballen tash e gjashtë ditë, banorët e fshatit Koliq të Prishtinës, të cilët që nga 2 tetori nuk kanë energji elektrike.…

Lajme

08/10/2025 13:57

Ndonëse temperaturat në vendin tonë kanë rënë ndjeshëm, dhe nevoja për ngrohje nga qytetarët është rritur, në disa zona të Kosovës nuk kanë rrymë për të siguruar atë.

Me një situatë të tillë po përballen tash e gjashtë ditë, banorët e fshatit Koliq të Prishtinës, të cilët që nga 2 tetori nuk kanë energji elektrike.

Në një email drejtuar lajmi.net, Xhevahire Beqiri nga fshati Koliq ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar se kur do të rikthehet furnizimi me rrymë.

“Prej shumë vitesh kemi dërguar ankesa dhe njoftime të rregullta në adresë të KEDS-it për ndërprerjet e shpeshta të rrymës, por fatkeqësisht nuk kemi marrë asnjë zgjidhje konkrete. Përveç ndërprerjeve të shpeshta, shpesh kemi edhe luhatje të tensionit, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pajisje shtëpiake dhe objekte banimi. Që nga data 2 tetor, fshati ynë ka mbetur plotësisht pa energji elektrike, ndërsa nga KEDS-i nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar apo afat se kur pritet të rikthehet furnizimi. Përgjigjja e vetme e përsëritur që marrim është: “Kemi prishje dhe ekipet janë në terren.”

Në lidhje me këtë situatë e cila është bërë alarmante për qytetarët e Koliqit, lajmi.net ka dërguar pyetje tek KEDS-i, të cilët kanë thënë se shkaku i borës dhe motit të lig në vend, janë shkaktuar dëme në rrjetin elektrik shpërndarës.

Në Koliq, zëdhënësi i KEDS-it Lulzim Osmani ka thënë për lajmi.net se ka akoma shtylla të thyera dhe përçues elektrik të dëmtuar.

“Kjo është një zonë malore, ku terreni i papërshtatshëm e ka bërë edhe më të vështirë intervenimin e ekipeve të terrenit. Pavarësisht kësaj, KEDS-i ka angazhuar edhe ekipe shtesë të Mirëmbajtjes për të sanuar sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet. Edhe sot këto ekipe gjenden në vend dhe po punojnë intensivisht në mënyrë që konsumatorëve të këtij fshati të afektuar t’u rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”, ka thënë Osmani për lajmi.net.

Mungesa e energjisë elektrike po iu shkakton këtyre banorëve vështirësi edhe për të përgatitur ushqime, për ngrohje dhe për të jetuar me kushtet elementare të jetesës.

Nga KEDS nuk kanë dhënë një datë të caktuar se kur pritet të sigurohet energjia elektrike për këta banorë. /Lajmi.net/