500 mijë euro fond nga UNDP për të papunët në Kosovë

U nënshkrua marrëveshja 500 mijë euroshe nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo.

Lajme

17/06/2015 16:41

Me këtë marrëveshje mendohet që të ndihmohen rreth 600 të papunë për një afat kohor 6 muaj deri në 1 vit.

“Është një fond prej 500 mijë euro i cili në emër të uljes së papunësisë do të fillojë subvencionimin e pagave për punëkërkuesit në kompanitë në zhvillim”, tha ministri Abrashi.

Më pas ministri Abrashi shtoi se fondet do shpërndahen në sektorë të ndryshëm, të cilët kanë mundësi për zhvillim, si përpunimi i metalit, drurit, bujqësisë etj.

“Me këtë fond ne do të fillojmë subvencionimin e së paku 600 personave në tërë Kosovën, në një periudhë 6 mujore…do të përfitojnë vet punëkërkuesit pasi që do të gjejnë vend të punës, do të përfitojnë kompanitë, të cilat do të marrin një numër të punëkërkuesve”, shtoi Abrashi.

Ndërsa, Alessandra Roccasalvo, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, tha se ky fond është një përkrahje për të papunët.

“Është një program për subvencionimin e pagave me fonde të përbashkëta…jemi partner në me shumë se 10 vite tani më. Kemi përvojë dhe në punën e përbashkët sa i përket ofrimit të trajnimeve dhe përkrahje për të papunët, e në veçanti për njerëzit që kanë qenë të papunë për një kohë të gjatë … deri me tani kemi përkrahur me shumë se 13 mijë punëkërkues. Duke ditur se Kosova është një vend i vogël, një shtet i vogël, mendoj që këtu kemi goxha numra”, tha Roccasalvo.