50 ditë nga Olimpiku, Rio de Janeiro shpall “katastrofë financiare”
50 ditën para Olimpikut, Rio de Janeiro ka shpallur një emergjencë financiare. “Kriza e rëndë ekonomike kërcënon të ndalë shtetin në angazhimin e Lojërave Olimpike”, është shprehur guvernatori, Francisco Dornelles.
Bota
Ndërsa kryebashkiaku i Rio de Janeiro-s në një postim në “Twitter” shkruan: “Në asnjë mënyrë nuk do të vonohet dorëzimi i projektit Olimpik nga Rio de Janeiro”.
Sipas mediave ndërkombëtare, Dornelles ka fajësuar krizën në mungesë të taksave, sidomos nga industria e naftës, ndërkohë që Brazili në përgjithësi është përballur me një rënie të thellë ekonomike.
“Shteti po përballet me krizën publike, që mund të çojë në kolaps total të shërbimeve publike, si siguria, shëndetësia dhe arsimi”, thuhet në një dekret të guvernatorit.
Ai ka autorizuar “masa të jashtëzakonshme”, të cilat do të merren përpara Lojërave Olimpike. Ndërkohë, shteti ka parashikuar një deficit buxhetor prej 5.5 miliardë dollarë për këtë vit.
Gjithashtu janë shtuar shqetësimet mbi një shpërthim të virusit Zika, i cili është i lidhur me defektet e lindjes dhe ndikimin që mund të ketë mbi turizmin e qytetit. Rio pret rreth 500 mijë vizitorë të huaj gjatë Olimpiadës.