5-vjeçari nga Lipjani lirohet nga QKUK në gjendje stabile, merret nën përkujdesje sociale

Fëmija 5-vjeçar nga Janjeva e Lipjan, i cili ishte keqtrajtuar nga prindërit e tij dhe po trajtohej në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, është liruar nga spitali dhe tashmë ndodhet në gjendje stabile shëndetësore. Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se fëmija është liruar…

Lajme

16/04/2026 11:51

Fëmija 5-vjeçar nga Janjeva e Lipjan, i cili ishte keqtrajtuar nga prindërit e tij dhe po trajtohej në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, është liruar nga spitali dhe tashmë ndodhet në gjendje stabile shëndetësore.

Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se fëmija është liruar gjatë ditës së djeshme dhe është marrë nga Qendra për Punë Sociale në Gjakovë.

“Në përgjigje të pyetjeve të parashtruara, bazuar në të dhënat zyrtare nga Klinika e Pediatrisë, ju njoftojmë se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile. Fëmija është liruar nga Klinika e Pediatrisë gjatë ditës së djeshme. Është marrë nga QPS në Gjakovë”, ka thënë Qyqalla.

Ndërkohë, për rastin është dorëzuar raporti final në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ku sipas gjetjeve, përgjegjësi për mosmenaxhimin e duhur të rastit i është atribuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan.

Ministri i linjës, Andin Hoti, ka paralajmëruar masa disiplinore ndaj përgjegjësve, duke theksuar se rasti është ende nën hetim nga Prokuroria.

Sipas tij, do të shqyrtohet mundësia e masave ndaj stafit të QPS-së në Lipjan, në bazë të gjetjeve të raportit inspektues.

Ndërkohë, dy prindërit e fëmijës janë në paraburgim me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa gjashtë fëmijët e familjes janë marrë nën përkujdesje nga QPS. /Lajmi.net/