5 policët e dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të 27 vjeçarit në Lipjan rrezikojnë paraburgimin- flasin nga Prokuroria
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mesnatës së 7 korrikut në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën në rrethana të dyshimta. Derisa rasti është cilësuar si “vrasje nga pakujdesia” pesë zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra si dhe janë ndaluar me urdhër të prokurorit. Sipas Policisë…

Lajme
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mesnatës së 7 korrikut në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën në rrethana të dyshimta.
Derisa rasti është cilësuar si “vrasje nga pakujdesia” pesë zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra si dhe janë ndaluar me urdhër të prokurorit.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, kur Zejnullahu dyshohet se po sulmonte kalimtarët dhe veturat në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan- në gjendje të dehur.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.
Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat dhe mbi të qëndronin të rrethuar 5 zyrtarë policorë. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroj jetë në vendin e ngjarjes.
Fillimisht pesë zyrtarët u suspenduan nga, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Zyrtarët për të cilët u rekomandua masa e suspendimit përfshin një rreshter dhe katër policë patrullues.
Mirëpo të njëjtit më vonë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë u arrestuan dhe ndaj të njëjtave u caktua masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Lidhur me këtë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për lajmi.net, kanë thënë se Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve për veprën penale ”Vrasje nga pakujdesia” bazuar nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë për lajmi.net, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala.
Inspektorati Policor mbrëmë njoftoi se se janë duke u shqyrtuar incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Ndërkaq pas ceremonisë së varrimit të Zejnullahut, foli edhe vëllai i tij, i cili ngriti dyshime për përdorim të tepruar force nga ana e policisë.
“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, tha ai.
Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”.
Kurse njëra nga mjeket e emergjencës, që intervenoi në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse.
“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika,” tha ajo.
Ky rast i cili ndodhi në orët e para të mëngjesit të 7 korrikut ka bërë që të shkaktohen reagime të shumta në opinionin publik, madje edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës reaguan të cilët kërkuan përgjegjësi dhe zbardhje të rastit sa më shpejtë. /Lajmi.net/