“5 nënkryetarët do të votohen në pako, më pas do të votohet Qeveria”- Çka pritet sot nga seanca e Kuvendit?
Kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ka pasur konsensus të 14 kryetarëve të subjekteve politike që në seancën konstituve të së mërkurës, të pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako. Pas mbledhjes me përfaqësuesit politikë për përgatitjen e seancës konstituive, Basha tha…
Lajme
Kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ka pasur konsensus të 14 kryetarëve të subjekteve politike që në seancën konstituve të së mërkurës, të pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako.
Pas mbledhjes me përfaqësuesit politikë për përgatitjen e seancës konstituive, Basha tha se ka pasur konsensus edhe për pikat e tjera të rendit të ditës, përfshirë të zgjedhjes së kryetarit dhe pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ndërkaq, për çështjen e votimit në pako të nënkryetarëve, Basha tha se një gjë e tillë është propozuar nga udhëheqësit e partive joshumicë joserbe.
Ndryshimi i vetëm, sipas Bashës, është që seanca konstituive nuk do të nisë në orën 12:00, siç ka vendosur presidentja, por në orën 17:00, pasi në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndryshimi i orës është bërë me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe është mbështetur nga të gjithë, tha Basha.
“Liderët e subjekteve politike kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në ora 17:00, dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”, tha Basha.
Seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë u thirr më herët gjatë ditës nga presidentja Vjosa Osmani, e cila caktoi që ajo të niste në orën 12:00.
Çfarë ndodh në seancën konstituive?
Rregullorja e Punës së Kuvendit përcakton se seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe atë të nënkryetarëve.
Lidhur me seancën konstituive, vitin e kaluar pati shumë paqartësi dhe Gjykata Kushtetuese përmes disa aktgjykimeve përcaktoi se kjo seancë duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh, dhe konsiderohet e përmbyllur vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve – tre nga partitë kryesore shqiptare dhe dy nga komunitetet joshumicë, një serb dhe një nga komunitetet serbe.
Si për kryetarin, ashtu edhe për nënkryetarët kërkohen 61 vota nga Kuvendi me 120 deputetë.
Në bazë të aktgjykimeve, një person mund të propozohet vetëm deri në tri herë për postin e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Atëbotë, nënkryetarët shqiptarë ishin votuar në pako, ndërkaq dy të komuniteteve joshumicë ndaras.
LVV-ja kishte votuar kundër të propozuarve për nënkryetarë nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – dhe nënkryetar më pas u zgjodh Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Megjithatë, për çështjen e nënkryetarit serb, në një aktgjykim të publikuar ditë më parë, Kushtetuesja gjeti se janë bërë shkelje kur është zgjedhur Nenad Rashiq në këtë post.
Ai u propozua përmes shortit pasi të propozuarit e Listës Serbe s’arritën t’i siguronin 61 vota.
Kushtetuesja vendosi se të drejtën e propozimit për nënkryetar e kanë shumica e deputetëve të komunitetit serb, që edhe në këtë legjislaturë janë nëntë deputetët e Listës Serbe. Vendimi u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
LVV pret formim të shpejtë të institucioneve
Më herët gjatë ditës, zyrtarë të lartë të partisë fituese të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje thanë se presin krijim të shpejtë të institucioneve.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tha se beson që nesër do të “shkojë mbarë e mirë gjithçka”.
“Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancën konstituive dhe besoj që do të shkojë mbarë e mirë gjithçka”, tha ai shkurt për mediat.
Numri dy në LVV, Glauk Konjufca, shprehu bindje se nesër do të konstituohet organi ligjvënës dhe do të formohet Qeveria e re e Kosovës.
“Nesër do të bëhet Kuvendi dhe nesër shumë shpresoj që do të bëhet edhe Qeveria. Për të tjerat flasim pastaj”, tha Konjufca për mediat.
I pyetur për çështjen e nënkryetarit serb, që sipas Gjykatës Kushtetuese duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, në këtë rast nga Lista Serbe që ka nëntë deputetë, Konjufca tha se partia e tij asnjëherë nuk ka refuzuar aktgjykimet e gjykatës më të lartë në Kosovë.
“Ne kurrë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deri tash vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, ato natyrisht kanë qenë beteja politike, por kur i ka dhënë vulë Gjykata Kushtetuese siç ishte rasti për shembull në vitin 2014 kur tha që jo, ju nuk mundeni me bë shumicën, shumicën duhet ta bëjë vetëm fituesi i zgjedhjeve, ne u tërhoqëm dhe vazhduam sipas opinionit të Gjykatës”, u shpreh ai.
Më herët gjatë ditës, presidentja Osmani e thirri seancën për 11 shkurt, duke u thirrur në urgjencën e krijimit të institucioneve të reja.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, është thënë në njoftimin e Presidencës
Një ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.
Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Procesi i certifikimit u zvarrit për shkak të nevojës për rinumërim të të gjitha votave të këtij procesi zgjedhor, meqë pati dyshime për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.
Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë. Votat për parti nuk janë cenuar.
Me t’u përmbyllur çështja e konstitutimit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Presidentja duhet të mandatojë për kryeministër dikë nga partia fituese, në këtë rast LVV-ja.
Sipas ligjeve, i mandatuari ka 15 ditë kohë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit dhe të kërkojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve.
Për dallim nga hera e kaluar, Kurti pritet të mos ketë vështirësi për t’i bërë numrat për Qeverinë, pasi vetëm partia e tij ka fituar 57 ulëse në Kuvend, dhe Basha paralajmëroi se seanca për ekzekutivin do të mbahet po më 11 shkurt.
Çështja e presidentit
Përveç çështjes së konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë së re, deputetët kanë edhe një detyrë tjetër përpara: zgjedhjen e presidentit të ri.
Presidenti i ri duhet të votohet deri më 4 mars – data e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Presidentja Osmani ka mandat deri më 4 prill, por presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date.
Vetë Osmani ka shprehur dëshirë që të jetë në krye të shtetit edhe për një mandat pesëvjeçar. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ajo do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme.
Presidentja Osmani është kritikuar disa herë gjatë mandatit të saj se ka mbajtur anë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, ajo tha se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë për mediat ditë më parë se ka biseduar me Osmanin për çështjen e presidentit, por që, sipas tij duhet të ekzistojë një raport i ri me partitë në opozitë për çështjen e kreut të ri të shtetit.
Në bazë të Kushtetutës, presidenti i ri zgjidhet përmes votimit të fshehtë dhe kushdo që dëshiron të garojë duhet t’i mbledhë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
Kreu i shtetit zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, por nëse në këto dy votime s’ka numra të mjaftueshëm, atëherë në rundin e tretë zgjidhet ai kandidat që merr shumicën e votave të deputetëve.
Në rast se dështon zgjedhja e presidentit, me automatizëm shpallen zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.