5 deputetët me më së shumti mungesa në Kuvendin e Kosovës- Disa prej tyre thonë arsyet, e disa s’duan as të arsyetohen

Nga 525 mungesa të deputetëve në sesionin e kaluar në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacolli është listuar i pari nga partitë shqiptare, duke mos përfshirë këtu ato nga komunitetet. Kështu vlerëson raporti i Institutit Demokratik të Kosovës, ku Pacolli gjatë sesionit pranveror ka gjithsej 14 mungesa. E për këto mungesa hulumtuesja në KDI Violeta Haxholli,…

Lajme

24/09/2024 21:29

Nga 525 mungesa të deputetëve në sesionin e kaluar në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacolli është listuar i pari nga partitë shqiptare, duke mos përfshirë këtu ato nga komunitetet.

Kështu vlerëson raporti i Institutit Demokratik të Kosovës, ku Pacolli gjatë sesionit pranveror ka gjithsej 14 mungesa.

E për këto mungesa hulumtuesja në KDI Violeta Haxholli, tha që Kryesia e Kuvendit do të duhej të shqiptonte vërejte.

“Në këtë rast kryetari dhe kryesia kanë mandatin që të shqiptojnë vërejtje fillimisht për deputetët e papërgjegjshëm por edhe ministrat pra ka raste kur p.sh në rastin e pyetjeve parlamentare shpesh mungojnë ministrat edhe kryetari si kryesues i seancës duhet që të shqiptojë vërejte për çdo kënd në seancë që sillet në mënyrë të papërgjegjshme ndaj punimeve të asaj seance”, ka thënë ajo.

Nga 24.3% e deputetëve që kanë munguar në seanca plenare, prin Lista Serb, e më pas Partia Demokratike e Kosovës.

“Deputetët kanë bërë diku mbi 500 mungesa gjatë sesionit pranveror e natyrisht numrin e mungesave e ka rritur bojkoti që Lista Serbe ia ka bërë kuvendit gjatë legjislaturës së tetë pra ata kanë numrin më të madh të mungesave si subjekt politik, pastaj e dytë është Lëvizja Vetëvendosje sepse ka më shumë deputetë, por në raport me numrin e deputetëve PDK ka më shumë mungesa pas Listës Serbe”,shtoi ajo.

Për këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me deputetët të cilët prijnë në listën e IKD-së.

Behgjet Pacolli, Fitim Uka, Xhavit Haliti, Ganimete Musliu e Ardian Kastrati kryesojnë në këtë listë, e nga kjo listë tre prej tyre vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Në një prononcim për lajmi.net, Xhavit Haliti deputet nga Partia Demokratike e Kosovës , nuk ka pranuar që të tregojë arsyen e mungesave gjatë sesionit të kaluar në seancat e kuvendit.

Madje ai as nuk është “lodhur” të merret me arsyetimin e mungesave, derisa vazhdon të paguhet nga taksat e qytetarëve.

“Nuk kam asnjë arsye për me ju tregu se pse kam mungu në seanca“, ka thënë Haliti.

Kurse bashkëpartiakja e Halitit, Ganimete Musliu tha se arsyet e mungesave të saj janë të bëra publike nga IKD-ja dhe se nuk ka asgjë për të shtuar.

“Arsyet e mia pse nuk kam mujt me qenë e pranishme në sesionin pranveror i keni tek faqja e IKD-së, normal që nuk kum mujt me qenë e pranishme pasi që kam qenë sëmurë“, ka thënë Musliu.

Ndërkaq e pyetur se a do të jetë më aktive këtë sesion vjeshtor nëpër seancat e kuvendit Musliu nuk ka dhënë përgjigje.

I pari sa i përket mungesave në seancat e Kuvendit të Kosovës është Behgjet Pacolli.

Ani pse me numër të madh të këtyre mungesave, Pacolli thotë se ka munguar, por se nuk është ndalur kurrë.

Sipas tij këto mungesa lidhen me “lobimin” nëpër botë për njohjen e Kosovës.

“Unë kam munguar në disa seanca të Kuvendit, por nga ana tjetër nuk jam ndalur kurrë. Kam lobuar nëpër botë për njohjen e Kosovës, që për mua ka qenë shumë më e rëndësishme se sa të humbas kohë duke dëgjuar akuza dhe kundër-akuza banale mes partive dhe grupeve parlamentare brenda Kuvendit. Nga ana ime, kam sjellë disa nota verbale nga shtete të rëndësishme që kanë njohur pasaportat e Kosovës. Jam gjithashtu në proces të sigurimit të njohjeve të tjera dhe gjithë këtë e kam bërë me iniciativën time personale, pa mbështetje nga qeveria e Kosovës”, deklaroi Pacolli.

Madje ai për lajmi.net, u shpreh se ka qenë më produktiv në raport me deputetët tjerë, gjë për të cilën thotë se nuk ka qenë prezent nëpër seanca për të mos dëgjuar grindjet e deputetëve me ideologji të ndryshme.

“Jam i angazhuar në promovimin e Kosovës nëpër botë. Jam më produktiv se sa me dëgju grindjet e deputetëve me ideologji të ndryshme. Unë tani jam në Nju-Jork”,shtoi ai.

E në lidhje me këto mungesa Fitim Uka tha se i ka të arsyeshme pasi që nga 9 shkurti nuk është më deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Të gjitha mungesat e mia janë të arsyeshme dhe që nga 9 shkurti nuk jam më deputet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Uka.

Lajmi.net ka tentuar që të marrë përgjigje edhe nga deputeti Ardian Kastrati , por se ky i fundit zgjodhi të mos përgjigjet fare. /Lajmi.net/