5.5 milionë euro për pagat e politikanëve

Rritjes së pagave prej 25 për qind më së shumti ua kanë parë hairin zyrtarët politikë. Me rritje pagash, Presidentja Jahjaga do të marrë pagë vjetore 49.200

Lajme

13/03/2014 06:50

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e rrogave prej 25 % për të gjithë të punësuarit në sektorin publik ka ndikuar më së shumti në pagat e të zgjedhurve politikë, të cilët i kanë pagat më të larta në vend – shkruan gazeta Tribuna.

Në Presidencë, Qeveri dhe Kuvend janë të angazhuar rreth 332 persona. Pagat e tyre lëvizin nga 825 deri në 4100 euro. Diferenca e pagave të këtyre zyrtarëve politikë pas rritjes së pagave është për 1 milion e 83 mijë e 135 euro në vit. Presidentja Jahjaga deri tani ka marrë pagë mujore 3300 euro bruto. Për një vit ajo ka marrë 39600 euro. Tani, me rritje pagash, ajo do të marrë pagë vjetore 49.200 euro, apo 9600 euro më shumë.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi deri më tani ka marrë pagë mujore bruto 2325 euro. Për një vit ai ka marrë pagë në vlerë prej 27.900 euro. Tani, me vendimin për rritje, paga vjetore e tij arrin në 34.800 euro.

Pesë nënkryetarët e Kuvendit deri tani pagën mujore e kanë pasur nga 2000 euro bruto. Për një vit, për një vit të pestët bashkë kanë marrë paga në shumë prej 120 mijë euro. Tani, me vendimin për rritje, pesë nënkryetarët bashkë marrin pagë vjetore prej 150 mijë euro.