44 dështime – Presidentja pritet t’i drejtohet përsëri Kushtetueses nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata
Duke e parë që ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës po vazhdon, presidentja, Vjosa Osmani po e shqyrton rrugët ligjore për të sqaruar pasojat në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh. Zëdhënësi për media i Presidencës, Bekim Kupina, konfirmoi për Lajmi.net se Presidentja Vjosa Osmani është duke analizuar mundësinë e…

Lajme
Duke e parë që ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës po vazhdon, presidentja, Vjosa Osmani po e shqyrton rrugët ligjore për të sqaruar pasojat në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
Zëdhënësi për media i Presidencës, Bekim Kupina, konfirmoi për Lajmi.net se Presidentja Vjosa Osmani është duke analizuar mundësinë e një kërkese zyrtare drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim shtesë të aktgjykimit në rastin nr. KO 124/25.
“Presidentja është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit në rastin KO 124/25, në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata (pra, brenda 30 ditësh)”, tha Kupina.
44 DËSHTIME
Sot ka dështuar edhe përpjekja e 44-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, që doli nga zgjedhjet e parakohshme të 9 shkurtit.
Gjatë seancës së mbajtur sot paradite, kryesuesi Avni Dehari sërish e nxori në votim formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar nuk propozuan anëtarë për këtë komision.
Deputetë nga këto parti dolën në foltore dhe kërkuan që të kalohet në procedurë të votimit të hapur, duke kundërshtuar vazhdimisht procesin e votimit të fshehtë.
Në votim morën pjesë 101 deputetë të pranishëm në sallë, ku 55 votuan për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo asnjë abstenim. Megjithatë, mungesa e përfaqësimit të plotë në Komisionin për votim të fshehtë e bëri të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të procesit të konstituimit.
Ngërçi politik po vazhdon tashmë prej disa muajsh, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po i afrohet fundit./lajmi.net/