4 zgjedhje në 4 vjet, Spanja nuk gjen qetësi politike

Partitë politike në Spanjë duket se nuk janë në gjendje të zhbllokojnë ngërçin 5-mujor që po pengon krijimin e qeverisë së re. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, shanset për krijimin e një mazhorance parlamentare janë të vakëta dhe gjasat janë që vendi të shkojë në zgjedhje për herë të katërt në 4 vjet.

Bota

17/09/2019 22:21

Spanja po shkon drejt zgjedhjeve të katërta në katër vitet e fundit, teksa afati për formimin e një qeverie të re po përfundon dhe sinjalet për një marrëveshje janë zero.

Burime politike nga të gjitha palët hodhën dyshime të martën mbi shanset për të zhbllokuar ngërçin 5-mujor përpara së hënës së ardhshme, kur skadon edhe afati për formimin e ekzekutivit të ri.

Nëse nuk do të ketë ndonjë zhvillim të ri, atëherë zgjedhjet e reja do të mbahen më 10 nëntor. Edhe pse ekonomia iberike nuk ka vuajtur nga paraliza politike, analistët paralajmërojnë se vonesat e mëtejshme në implementimin e reformave, si ajo e punës dhe ajo e pensioneve, do të fillojnë të japin efektet e tyre.

Spanja, që ka ekonominë e katërt më të madhe në Bashkimin Europian, është përfshirë nga kriza politike që kur socialistët e Pedro Sanchez fituan zgjedhjet e përgjithshme të prillit, por nuk arritën të siguronin një shumicë parlamentare.

Liderët politikë, sikurse shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”, e kanë kaluar kohën më tepër duke fajësuar njëri-tjetrin për ngërçin se sa duke negociuar për ta tejkaluar atë dhe të gjitha iniciativat e minutës së fundit kanë dështuar.

“Kjo është e gjitha një shfaqje për të treguar se ata u përpoqën deri në fund”, ka deklaruar një burim i informuar mbi situatën për “Reuters”.

Partia e qendrës së djathtë, “Qytetarët”, i ofroi ndihmë të hënën Sanchez që të sigurojë afirmimin në Parlament si kryeministër nëse plotëson disa kushte, por nga ana e tij lideri i socialistëve tha se ua ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe se nuk ka çfarë të përmbushë më.