Qytetarët shpenzojnë ujin, por viti mbyllet me mbi 26 milionë euro borxhe ndaj KRU-Prishtina

Prishtina si kryeqytet i Kosovës natyrisht se mbulimin e furnizimit me ujë të pijshëm e ka nga disa burime. Si shkak i numrit të madh të banorëve e bizneseve, shpenzimi i ujit është gjithnjë e më i lartë. Nevoja për furnizim më të bollshëm me ujë të pijes sa shkon e bëhet edhe më e…

Lajme

04/01/2025 16:32

Prishtina si kryeqytet i Kosovës natyrisht se mbulimin e furnizimit me ujë të pijshëm e ka nga disa burime.

Si shkak i numrit të madh të banorëve e bizneseve, shpenzimi i ujit është gjithnjë e më i lartë.

Nevoja për furnizim më të bollshëm me ujë të pijes sa shkon e bëhet edhe më e lartë.

Edhe përgjatë këtij viti, banorët e Prishtinës janë furnizuar me ujë të pijes nga liqeni i Badocit e një pjesë tjetër nga ai i Batllavës- furnizim ky që mundësohet pastaj të kontrollohet përmes KRU-Prishtina.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina“ e sheh punën e vet si të mirë e me suksese në fusha të shumta.

Por problematike doli këtë vit të jetë prania e manganit tek uji i pijes në kuadër të liqenit të Badocit.

Shpesh herë KRU Prishtina u desh t’ua përkujtojë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar sa i përket përdorimit të këtij uji.

E në një përgjigje të dhënë për lajmi.net sipas kësaj kompanie kjo ishte edhe problematika thuajse më e madhe.

Sasia e manganit në liqenin e Badocit vazhdon të mbetet sërish problem për furnizimin me ujë të pijshëm për banorët që jetojnë e punojnë në këtë pjesë. Niveli i manganit në liqenin e Badocit, është rritur tetorin e kaluar, njëjtë sikurse edhe në atë të vitit 2023.Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandoi që uji i rrjedhshëm të mos përdoret për pije, e as për gatim për aq kohë sa sasia shënon vlerat e larta.Kjo ishte edhe njëra ndër sfidat me të cilat u përball kjo kompani, e më shumë e vuajtën qytetarët”.

E ndikim të madh natyrisht se pati edhe sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit.  Madje sipas tyre sulmi terrorist mbi infrastrukturën kritike të Kosovës i cili shkaktoi dëme jo të pakta, padyshim që paraqet ndër sfidat më të mëdha dhe jo vetëm të KRU-“Prishtinës” por ndër më të mëdhatë me të cilat vendi është përballur që nga koha e pasluftës.

E problematik e vazhdueshme për furnizim të rregullt me ujë të pijes janë “kyçjet ilegale”.

Madje, jo shumë kohë më herët në një reagim nga “KRU Prishtina”, thonë se “uji është më së liri e shfrytëzojnë ilegalisht”, duke nënkuptuar që ka qytetarë e biznese që kyçen ilegalisht.

Megjithatë, duket që kjo ka arritur të menaxhohet.

“Të gjitha përfunduan mirë të menaxhuara”, u tha në përgjigjen e tyre për lajmi.net.

Mbi 26 milionë euro është borxhi total që kanë qytetarët e bizneset ndaj KRU-Prishtina. Kjo është bërë e ditur nga kompania në një deklarim për lajmin.

Anipse këtu përfshihen edhe bizneset, sipas kompanisë prapë se prapë është pjesa e amvisërisë ajo e cila ka më shumë sasi të borxheve.

“Derisa 80% e sasisë së ujit shpenzohet nga amvisëria, normalisht që edhe borxhet e tyre janë me të mëdha sesa të bizneseve”, thuhet tutje.

E megjithëse edhe përgjatë festave në fundvit, kërkesa e kompanisë drejtuar konsumatorëve vazhdon të mbetet po e njëjta.

KRU “Prishtina” bën apel te qytetarët që të përmbyllin obligimet financiare ndaj shërbimeve të ujit, për një infrastrukturë më të mirë ujore dhe furnizim stabil me ujë të pijshëm.

Për shkak se siç lë të kuptohet, mungesa e pagesave nuk u ka lënë mundësi tjetër kompanisë pos të shkyçin qytetarët.

Sipas kompanisë në fjalë shkyçjet që janë realizuar gjatë vitit 2024 vetëm ne Prishtinë janë 756 sosh./Lajmi.net/