Dialogu i stagnuar tash e sa vite, me thirrje të vazhdueshme që Kosova ta bëjë Asociacionin – Takimi i fundit më 2024 rezultoi me një marrëveshje
Më 2023, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Ohrit. Kjo shënoi një marrëveshje përparimi të shumëpritur, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet një emërues i përbashkët i shumë pritjeve në Kosovë. Në mars…
Lajme
Më 2023, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Ohrit. Kjo shënoi një marrëveshje përparimi të shumëpritur, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet një emërues i përbashkët i shumë pritjeve në Kosovë. Në mars të vitit 2025 bëhen plotë dy vite që kur u nënshkrua kjo marrëveshje, por nuk gjeti pothuajse asnjëherë zbatim të plotë nga palët.
Sanksionet e vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit të kaluar nuk u vlerësuan në asnjë moment që të hiqen e as të zvogëlohen, ani pse Kosova vitin e kaluar dhe përgjatë këtij viti u sulmua vazhdimisht nga Serbia ,direkt e indirekt.
Këto ngjarje nxitën pasiguri dhe shqetësime tek qytetarët, por edhe tek Bashkësia ndërkombëtare për qëndrueshmërinë në rajon.
Megjithatë, një ndër sfidat kryesore të Kosovës mbetet Asociacioni i cili nuk është themeluar ende, nga frika se kompetencat e tij të gjera mund të ndikojnë në funksionalitetin e shtetit.
Në janar të këtij viti nga Bashkimi Evropian ishin shprehur optimist se mes Kosovës dhe Serbisë ka ende shpresë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke ngulur këmbë se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.
Një hap pozitiv u shënua kur Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht targat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari regjimin e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në targa kur automjetet lëviznin në territoret e tyre përkatëse, por jo e mjaftueshme.
Sa i përket këtyre hapave të ngadalësuar kishte folur edhe Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë.
O’Brien ishte shprehur se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin detyrimet e tyre të dalura nga dialogu.
“Te Kosova dhe Serbia, qëndrimi ynë nuk ndryshon, ne fuqishëm mbështesim përpjekjet e emisarit Mirosllav Lajçak dhe Bashkimit Evropian për dialogun. U bëjmë thirrje të dyjave, Kosovës dhe Serbisë, që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në kuadër të dialogut. Ka pasur progres në këtë aspekt në muajt e fundit, ka pasur hapa përpara duke u marrë me disa çështje shumë praktike të përditshme sikur me targat e automjeteve”, kishte deklaruar ai.
Ndonëse O’Brien kishte përsëritur se SHBA-ja, nuk do të lejonte që një sulm si i vitit të kaluar në Banjskë të përsëritet.
Nuk shkoi shumë dhe Bashkimi Evropian (BE), mori një vendim, vendim ky në lidhje me përgatitjen e draft-statutit për asociacionin pasi sipas tyre Kosova kishte dështuar për të dorëzuar një draft për të.
Për këtë kishte folur zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano i cili kishte thënë se Kosova këtë e ka obligim ligjor të cilën e ka pranuar vetë.
Ndalimi i përdorimit të dinarit në Kosovë:
Në fund të muajit janar Banka Qendrore e Kosovës (BQK), mori një vendim ku miratoi rregulloren që ndalonte funksionimin e valutës serbe brenda territorit të Kosovës.
Ky vendim kishte “ndezur”, debat edhe në BE, ku kërkohej që vendimi i BQK-së për dinarin të adresohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Pasi sipas tyre rregullorja ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia.
Mendim të njëjtë kishin ndarë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilët kërkuan që të shtyhet zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.
Këtë e kishte kundërshtuar Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, i cili kishte thënë se rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.
Hiç më larg se në muajin shkurt pala serbe shfrytëzoi rastin për të thirrur një seancë në OKB pas vendimit vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.
Më 15 shkurt të këtij viti Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një konference për media, ishte pyetur për situatën në Ballkan, sidomos për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Blinken ishte shprehur se sfida që ishte nga fillimi deri në fund të punës së tij ishte Ballkani, fillimisht Bosnja dhe Hercegovina e më pas Kosova, ku tha se nuk mund të ketë një ripërsëritje të asaj që ka ngjarë.
“Nuk mund të kemi ripërsëritje të asaj që kemi parë dhe të asaj që shumë njerëz kanë përjetuar në vitet 1990. Për këtë arsye jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe me Evropën”, ishte shprehur Sekretari amerikan i Shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ishin takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ata ishin takuar në kuadër të Konferencës së Sigurisë, e cila u mbajt në Mynih të Gjermanisë.
Që nga data 28.06.2023, Bashkimi Evropian ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri.
Ndonëse zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk i kishte quajtur sanksione, por ai kishte konfirmuar më 14.06.2023 se shtetet anëtare të BE-së janë dakorduar që të vendosin “masa kufizuese” me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës.
Sipas tij, 27 shtetet anëtare të BE-së kanë kërkuar nga palët shtendosje të menjëhershme të situatës në veri.
Tensionet ndëretnike ishin ngritur që nga data 24.05.2023, kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve evropiane kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe që të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.
Kryesuesit një gjë të tillë e kërkuan përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Borrell dhe Lajçak, më 13.12.2023.
Tensionet arritën përsëri “kulminacionin”, kur u mor vendimi mbi dinarin serb, gjë për të cilën kishte folur edhe Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ishte shprehur se po mbahen takime të “pasuksesshme”, me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, sa i përket shtensionimit të situatës mes dy shteteve.
Në një artikull të publikuar pas mbajtjes së Konferencës së Sigurisë në Munih lidhur me agjendën gjeopolitike të BE-së, Borrell kishte përmendur edhe takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 16 shkurt dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Muaji shkurt u përshkrua me takime të një pasnjëshme nga ambasadorë nga Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak e Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësuesi Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, të cilët kërkonin një zgjidhje rreth dinarit.
Ani pse për këtë rast Gabriel Escobar kishte thënë se arsyeja e vizitës së tij lidhet edhe “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Pas takimeve të ndara që kishte mbajtur Lajçak me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryenegociatorin e Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, ishte shprehur se ka pasur pak progres që nga dakordimi për Marrëveshjen bazike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kosova dhe Serbia më 27.02.2023 në Bruksel ishin dakorduar për Marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja në publik njihej si Plani franko-gjerman. Ndërkaq më 18.03.2023 në Ohër u dakorduan edhe për aneksin për zbatimin e Marrëveshjes bazë.
Kjo marrëveshje, e njohur me emrin tjetër si “propozimi evropian”, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.
19 mars ishte data kur ishte vendosur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, mes Besnik Bislimit e Petar Petkoviq
Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.
Kritika të shumta kishte hedhur Joseph Borell në drejtim të Kosovës e Serbisë më 18.03.2024 pasi shënohej 1-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit i cili ishte shprehur se deri në këtë periudhë ka pasur përparim shumë të kufizuar nga dy vendet.
Me ndërmjetësimin e Emisarit të BE-së Miroslav Lajçak, nuk kaloi shumë kohë kur u caktua përsëri takimi ndërmjet negociatorëve më 25.04.2024, në tryezën e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel ku edhe do të uleshin të flasin kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.
Përsëri në qendër do të ishte çështja e dinarit serb.
Takimi i 25 prillit ishte i katërti mes kryenegociatorëve, dhe i pesti mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.
Përsëri Kosova dhe Serbia vendosen para një zgjedhje pasi ndryshe nga katër shtetet e tjera të rajonit, Kosovës dhe Serbisë u ishin vënë parakushte shtesë në mënyrë që të përfitojnë nga 6 miliardë eurot e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor – në kuadër të Pakos së Rritjes për të cilën Këshilli Evropian dha dritën e gjelbër në mëngjesin e 7 majit 2024.
Kushti për të dy shtetet është i qartë, që Prishtina zyrtare dhe Beogradi zyrtar duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Në qershor palët ishin dakorduar që të zhvillohej edhe një rund tjetër i kryenegociatorëve në mënyrë që të zhbllokohej e dialogu.
Pak ditë pas afatit të caktuar nga Bashkimi Europian që Kosova dhe Serbia të dërgojnë propozimet e tyre lidhur me planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (18.07.2024), një deklaratë e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, kishte nxitur sërish reagime lidhur me vlefshmërinë e kësaj marrëveshjeje, për të cilën palët kishin rënë dakorduar vitin e kaluar.
Në një seancë të mbajtur më 24.07.2024 në Kuvendin e Serbisë, Vuceviq kishte thënë se Serbia nuk ka nënshkruar e as nuk do të nënshkruajë diçka që konfirmon shtetësinë Kosovës.
“Edhe një herë, ne nuk e kemi pranuar Planin franko-gjerman. Ne s’e kemi nënshkruar këtë edhe kemi vendosur deklaratë të qartë dhe e kemi thënë qartë: çdo implikim, implicit ose eksplicit i njohjes së të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës është e papranueshme”, kishte thënë ai.
Menjëherë për këtë si kundërpërgjigjeje ndaj fjalimit të Vuçeviqit, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, e kishte shpërndarë videon nga Kuvendi i Serbisë, ku tha se BE-ja duhet të bindet se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë.
Lidhur me ketë çështje Bashkimi Evropian pati përsëritur se palët janë të vetëdijshme për obligimet nga dialogu që kanë marrë përsipër për t’i zbatuar.
Mbyllja e nëntë degëve të postës së Serbisë në veri të Kosovës:
Policia e Kosovës, ishte deklaruar më 05.08.2024 se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.
Zyrtarë të saj ishin deklaruar se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Mirëpo Bashkimi Evropian e kishte konsideruar mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Sipas Bashkimit Evropian, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Tutje BE-ja ishte shprehur e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut dhe pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Vendosja e statusit të “Urës së Ibrit”:
Bashkimi Evropian kishte planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.
Kurse, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, kishte bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Takimi i radhës ishte caktuar të ishte ai i 17 shtatorit por së nuk dihej ende nëse do të ishte takim trepalësh apo takime bilaterale.
Nuk përjashtohej mundësia që të mos kishte takim trepalësh të martën, por vetëm takime bilaterale të të dyja delegacioneve me diplomatin Lajçak.
Kështu ka ndodhur shpesh edhe në të kaluarën kur palët nuk janë pajtuar të takohen.
Ndërkaq dialogu i nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk është mbajtur që një vit.
Përpjekje të vazhdueshme janë bërë në vazhdimësi nga BE-ja por pa asnjë rezultat konkret në këtë dialog.
Pikërisht data 24.10.2024, ishte caktuar që të ishte rundi i radhës.
Lajçak pati ftuar Bislimin dhe Petkoviqin për t’u takuar më 17.09.2024. Por takimi ishte zhvilluar vetëm në formatin bilateral, për shkak se sipas Qeverisë së Kosovës, pala serbe kishte refuzuar të marrë pjesë në takim trelateral.
Në këtë takim ishte diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes.
Vendimi i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut:
Qeveria e Serbisë më 30.10.2024 ka miratuar projektligjin me të cilin Kosova shpallet zonë e mbrojtjes së veçantë sociale.
Ndër të tjera, nga qeveria serbe është miratuar edhe projektligji për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Veprimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pati quajtur veprime armiqësore e agresive ndaj Kushtetutës, ligjshmërisë, integritetit territorial, sovranitetit, paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Në lidhje me këtë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është pajtuar me qëndrimin e Bashkimit Evropian se projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut Kosovë- Serbi.
Bashkimi Evropian i ka cilësuar si shkelje të qarta të obligimeve të Serbisë në dialogun Kosovë-Serbi, veprimet e fundit që ky shtet i ka ndërmarrë në raport me Kosovën.
“Projektligji i propozuar nga Qeveria e Serbisë [për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale në Kosovë] siç është publikuar, paraqet shkelje të qartë të obligimeve të Serbisë për dialogun dhe bie në kundërshtim me ri-angazhimin e saj të fundit për dialogun”, tha zëdhënësja e BE-së, Nabilla Massarali.
Ky vendim i qeverisë së Serbisë erdhi pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në shtator, i cili, duke prezantuar të ashtuquajturat “masa dhe kërkesa” për Kosovën, deklaroi se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në “persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
Kaja Kallas në pozitën e shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian:
Ish-kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, ka marrë detyrën e re që nga data 01.12.2024. Ajo do ta pasojë Josep Borrellin, në pozitën e shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian.
Menjëherë pas dy ditësh që mori këtë pozitë ajo ishte në një vizitë zyrtare në Kosovë e Serbi ku u takua me kryeministrin Kurti e presidentin e Serbisë Vuçiq.
Pas takimit me shefen e re të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, më 03.12.2024, kryeministri Albin Kurti foli me optimizëm se ajo “është në kohën e duhur” dhe “në vendin e duhur”.
Duke u paraqitur para mediave pas takimit, ai megjithatë u shpreh i prerë se nuk tërhiqet nga kushtet e paracaktuara për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, e ku hyjnë: dorëzimi i Milan Radoiçiqit, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq përmes së cilës thotë se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë.
Kallas në anën tjetër, pas takimeve të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin, tha se është në dobi edhe të BE-së që të ecet drejtë rrugës me procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe se rruga tjetër është “të përpiqemi të ulim realisht tensionet ekzistuese, në mënyrë që të mund të ecim përpara në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.
Rundi i ri i dialogut në nivel kryenegociatorësh:
Takimi i fundit trepalësh për këtë vit u zhvillua mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian më datë 17 dhjetor në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.
Sikurse edhe herëve të mëparshme, së pari u zhvilluan takimet dypalëshe të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i përbashkët trepalësh mes tyre filloi pas orës 15:00.
Në këtë takim u shqyrtuan një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ua ka kujtuar Prishtinës dhe Beogradit, të martën në Bruksel, se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.
Lajçak ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, teksa ka përmendur “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.
Deklaratat e Lajçakut, të bëra në llogarinë e tij në rrjetin social X, erdhën një ditë pasi Kosova dhe Serbia përmbyllën me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Emisari evropian ka paralajmëruar se Brukseli së shpejti do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët, ndërkaq Bislimi ka thënë se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-tës.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë që, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.
Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.
Ndërkohë pritet që Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.
Bislimi është shprehur se Kosova dhe Serbia do ta kenë një Komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje prej janarit.
“Tani mund të ecim tutje, që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e Komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë, që nuk do të ketë tendenca se në të ardhmen puna e këtij Komisioni të pengohet”, ka thënë Bislimi.
Ndërkaq siç thotë Petkoviq është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit, sa i përket zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Kemi Deklaratën, kemi Rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një Komision të përbashkët, që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha ai.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur, në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Zotimet që u bënë me këtë Deklaratë përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Por, deri më tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë. /Lajmi.net/