Dhuna në familje u raportua çdo ditë brenda vitit- Dy gra përfunduan të vrara nga bashkëshortët, njëra 21 vjeçare
Dhuna në familje ishte shqetësim i shume qytetarëve të Kosovës brenda vitit 2024. E pamundur ka qenë të kalohen 24 orë pa u raportuar së paku 3 raste nga dhuna në familje, duke mos llogaritur këtu rastet e shumta që mbahen në heshtje e të cilat kalohen pa u raportuar fare -derisa shumë prej tyre…
Lajme
Dhuna në familje ishte shqetësim i shume qytetarëve të Kosovës brenda vitit 2024.
E pamundur ka qenë të kalohen 24 orë pa u raportuar së paku 3 raste nga dhuna në familje, duke mos llogaritur këtu rastet e shumta që mbahen në heshtje e të cilat kalohen pa u raportuar fare -derisa shumë prej tyre përfundojnë pastaj me fatalitet.
Jo për të mirë këtë herë, por priu me numër rastesh rajoni i Prishtinës, e jo shumë mbrapa nuk radhiten edhe ai i Gjakovës e i Pejës.
Në fakt brenda vitit 2024, raportimet flasin për mbi qindra- mijëra raste dhune në familje, që tregon përhapjen e kësaj dukurie të dhimbshme dhe të rrezikshme e në masë të madhe shqetësuese në Kosovë.
Sipas të dhënave, nga janari i këtij viti deri në muajin nëntor ishin 2.585 viktima të dhunës në familje. Nga to, 2055 ishin gra dhe 530 burra.
Brenda një periudhe 1 vjeçare në stacionet e ndryshme të Policisë së Kosovës u raportuan mbi 1 mijë raste gjithsej.
Në një vend që sipas statistikave të fundit del të ketë 1,586,659 banorë, përballja me dhunën në familje del të jetë në përmasa shqetësuese.
E më alarmant është fakti që të tilla përfunduan edhe me fatalitet, ku viktima shpeshherë ishin gratë e vajzat.
Gratë shpesh përballen me dhunë fizike, emocionale dhe psikologjike nga partnerët e tyre. Kjo ka pasur pasoja të rënda për shëndetin mendor dhe fizik të grave, si dhe për mirëqenien e familjeve të tyre.
Vetëm muaji janar sipas raporteve ditore të Policisë së Kosovës rezulton me 130 raste.
Lehtë bien shifrat në shkurt e në mars për të përfunduar në afër 120 raste në muajin prill.
Të dhimbshme e shumë të trishtueshme ishin rastet që përfunduan me vrasje e vdekje nga lëndimet e marra edhe brenda këtij viti.
Ishte pikërisht prilli i këtij viti që mori me vete jetën e 21 vjeçares Erona Coklit nga Ferizaj pikërisht nga dorasi që ishte ish)-bashkëshorti i saj.
Rasti ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
E sipas hetimeve të para ishte thënë se çifti kishin pasur mosmarrëveshje edhe më parë..
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i dyshuari për kryerjen e veprës, Valon Aliu, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Erona Cokli, me të cilën kishte bashkëjetuar.
Pas një zënke sipas aktakuzës, Aliu e kishte gjuajtur të ndjerën me armë zjarri në kraharor dhe pastaj vëllain e saj në krahun e tij të djathtë. Derisa e ndjera kishte filluar të largohet Aliu dyshohet se e kishte goditur edhe njëherë në gjoks dhe pastaj në anën e majtë të kokës.
I plagosur mbeti edhe vëllai 15 vjeçar i tashmë të ndjerës.
E njëjta pa pasur mundësinë tu bëjë ballë plagëve të marra, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Por për fatin e keq, sikur të mos mjaftonte kjo, vendi u trondit dy herë brenda javës këtë periudhë. Hiç më larg se 5 ditë nga rasti i 21 vjeçares në Ferizaj, viktimë e dhunës në familje ra një tjetër.
Sërish privohet nga jeta një grua.
Këtë herë Gjyljeta Ukella nga Peja. E trishtueshme pjesa që krejt kjo ndodhi “në sytë e shtetit” sepse bashkëshorti i saj- i dyshuar si dorasi që e qëlloi për vdekje ishte emër i njohur për organet e rendit në vend.
E njëjta madje kishte raportuar se nga bashkëshorti, Edmond Lajqi, tashmë e ndjera po përjetonte dhunë, e kjo gjë nuk çoi peshë.
Adresa e rastit krejt në “vesh të shurdhër”.
Para tre vitesh, i njëjti ishte dënuar për dhunë në familje me 400 euro gjobë. Gjobë e cila nuk parandaloi gjë.
Organet e drejtësisë në vend nuk reaguan aq shumë sa për të mbajtur në jetë nënën e tre fëmijëve nga Peja, ndonëse të njoftuara ishin qysh nga viti 2021.
E rastet e dhunës nuk është që pësuan ndonjë rënie as në muajt në vazhdimësi. Rrahjet, fyerjet e ofendimet, përfshirë këtu edhe sulme që bënë viktima për spital.
Qysh në fillim, muaji gusht shkakton tronditjen e radhës.
As këtë herë në artikujt e lajmet e mediave nuk munguan informacionet për sulme fizike, goditje e më e keqja- vrasje.
“Ka ndërruar jetë një grua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gruaja ishte dërguar në QKUK pasi u rrah brutalisht dy ditë më parë nga bashkëshorti i saj në fshatin Gushtericë e Poshtme të Graçanicës”, thuhet në një lajm tjetër, fatkeqësisht të kobshëm.
Personit që i kishte besuar pjesën më të madhe të jetës, ja mori nga duart atë.
Rasti në fillim ishte iniciuar si “Dhunë në familje” e “Lëndim i rëndë truporë”, mirëpo pas vdekjes së viktimës kjo ngjarje është ri-kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Gjykata Themelore dha detaje të rastit makabër. Në njoftim u tha se i pandehuri, D.ZH., pasi kishte përfunduar punën më 31 korrik, ishte ndalur në një kafene në fshatin Prelluzhë, ku kishte konsumuar alkool. Me t’u kthyer në shtëpi “e kishte kapur tani të ndjerën për koke duke e përplasur në shkallët e betonit dhe duke i shkaktuar lëndime trupore si dhe humbje të vetëdijes”.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë gjithsej 58 gra.
Autorët e krimeve në të shumtën e rasteve, kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Raste të ngjashme si të dy grave të vrara nga bashkëshortët ka pasur shumë ndër vite tek ne, e kjo gjë veçse e ka vënë në pah rrezikun që shpesh herë i parashtrohet grave në vendin tonë pikërisht nga njerëzit e tyre më të afërt.
Neglizhenca e organeve përgjegjëse për arrestimin dhe dënimin e tyre e lënia e tyre në liri në shumë raste veç ua ka shtuar veprat, gjë që çoi më pas edhe në humbjet e jetëve të shumë grave./Lajmi.net/