32 për qind e fëmijëve kosovarë jetojnë në varfëri

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Ditën Botërore të 1 Qershorit, ka uruar fëmijët, duke bërë thirrje tek institucionet publike që t’i marrin me prioritet në veçanti fëmijët në nevojë për mbrojtje institucionale.

Lajme

01/06/2016 16:22

Sipas KOMF, të dhënat e fundit të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion, flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve 32.8 % në krahasim me 29.7 % sa është për popullsinë e përgjithshme.

10.7 % e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë përderisa 6.8 % e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike. Fëmijët me aftësi të kufizuara nuk i realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Rreth 10 % e fëmijëve përfitojnë nga shërbimet cilësore duke përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet sociale.

Duke pasur për bazë gjendjen aktuale të fëmijëve e sidomos fëmijëve në nevojë në Kosovë, KOMF sot bënë thirrje sërish që institucionet publike të:

Ndajnë buxhetin e nevojshëm për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, në mënyrë që ky projektligj pas aprovimit të tij, të gjejë zbatim dhe të ndikojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në Republikën e Kosovës.

Krijojnë një grant specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit Nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal – LFPL (i cili është në proces plotësim ndryshimi), grant ky i cili do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Hartojnë politika që sigurojnë shërbime cilësore shëndetësore;

Investojnë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe të sigurohet zbatimi efikas i legjislacionit që rregullon gjithpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës dhe abuzimit në shkolla;

T’i kushtojnë fokus të posaçëm mbrojtjes më të madhe sociale për të gjithë fëmijët në nevojë për mbrojtje institucionale, përfshirë fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në varfëri, fëmijët e keqtrajtuar dhe të lënë pas dore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda etj.

KOMF do të vazhdojë të jetë i angazhuar në avokimin për mbrojtje të zgjeruar sociale për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për të ndihmuar dhe përmbushur nevojat e tyre bazë dhe për të zgjeruar mundësitë e tyre për të arritur potencialin e plotë.