Kosovarët s’e braktisën kurrë Shqipërinë dhe “perlat” e saj natyrore- Brenda 9 muajve në Shqipëri hynë rreth 2 milionë automjete

Distanca e vogël mes dy shtetesh, traditat e ngjashme e afërsia shpirtërore që kanë kosovarët me Shqipërinë e shqiptarët i bëjnë ata të mos mund ta “tradhtojnë” bregdetin shqiptarë për pushime. Edhe këtë vit, si çdo vit tjetër kosovarët kanë frekuentuar shumë ujin me kripë e rërën e bregdetit shqiptarë duke filluar nga plazhet më…

Lajme

01/01/2025 11:01

Distanca e vogël mes dy shtetesh, traditat e ngjashme e afërsia shpirtërore që kanë kosovarët me Shqipërinë e shqiptarët i bëjnë ata të mos mund ta “tradhtojnë” bregdetin shqiptarë për pushime.

Edhe këtë vit, si çdo vit tjetër kosovarët kanë frekuentuar shumë ujin me kripë e rërën e bregdetit shqiptarë duke filluar nga plazhet më të afërta si në Shëngjin, Durrës e deri në Sarandë, Vuno, Dhërmi e Ksamil e Jale.

Përveç verës, qytetarët e Kosovës zgjedhin që çdo pushim të tyre ta kalojnë në Shqipëri duke u lidhur më shumë më traditat e përbashkëta e gjithashtu duke ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë e shtetit amë.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga autoritete shqiptare u tha se janë mbi 1 milion automjete që nga Kosova ia mësyn Shqipërisë.

Në mesin e tyre kishte edhe mërgimtarë të shumtë e që nga vendet e largëta të botës sërish nuk ndërruan Shqipërinë me asnjë vend.

Vetëm gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë nga Kosova në Shqipëri kanë hyrë në total 1 milion e 976 mijë e 29 automjete nga të cilat me targa të huaja kanë qenë 1 milion e 264 mijë e 917 shumica e të cilëve janë kosovarë si dhe një pjesë e konsiderueshme kosovarë nga mërgata, ndërsa me targa shqiptare nga Kosova kanë hyrë 711 mijë e 112 automjete.

Fluksi i turistëve kosovarë në Shqipëri sigurisht që ka qenë gjatë verës, saktësisht nga muaji qershor deri në gusht të këtij viti ndërsa dita që specifikohet nga MPB e Shqipërisë është 17 gushti.

Më 17 gusht të vitit 2024, në Shqipëri kanë hyrë gjithsej 13 mijë e 112 automjete nga të cilat 11 mijë e 134 ishin me targa të huaja (Kosovës dhe mërgimtarëve të Kosovës) dhe 1 mijë e 978 me targa të Shqipërisë por që kanë hyrë nga Kosova.

Ndonëse Shqipëria kohëve të fundit ka një numër të konsiderueshëm të turistëve që vijnë nga Evropa, kosovarët luajnë një rol të madh në zhvillimin e turizmit të vendit duke vazhduar t’i mbesin besnik rivierës shqiptare.

E brenda vitit 2024 Shqipëria u frekuentua edhe nga gjitha anët e botës.

Turistët që vinin nga larg, e turistët nga Kosova e bënë atë edhe më vend të mahnitshëm.

Kultura të ndryshme u mblodhën në një vend, për të parë nga afër magjinë që ofron deti i Shqipërisë e malet fantastike të anës së Thethit.

Shqipëria madje u cilësia edhe si perlë  bregdetare nga mediat më të famshme të botës, e në aeroportin e Rinasit pati aq shumë turistë të huaj sa mezi mund të numëroheshin.

Sigurisht se arritjes se Shqipërisë në turizëm janë për t’u lakmuar nga shumë vende, e për t’u marrë mësim edhe nga Kosova./Lajmi.net/