Kosovarët “merakli”, në vitin 2024 importuan mbi 405 mijë litra pije alkoolike- 5.6 milionë euro të hyra

Kosovarët përpos që e dëshmuan veten në shumë sfera interesante nëpër botë, nuk është se s’janë popull që dinë të bëjnë qef. Shpesh herë madje kosovarët cilësohen si njerëz të qejfit, e ngapak edhe të pijes. Madje në Kosovë si askund tjetër kafet e restorantet janë të mbushura thuajse çdoherë. E këto kafiteri e restorante…

Lajme

31/12/2024 23:25

Kosovarët përpos që e dëshmuan veten në shumë sfera interesante nëpër botë, nuk është se s’janë popull që dinë të bëjnë qef.

Shpesh herë madje kosovarët cilësohen si njerëz të qejfit, e ngapak edhe të pijes.

Madje në Kosovë si askund tjetër kafet e restorantet janë të mbushura thuajse çdoherë.

E këto kafiteri e restorante natyrisht se fitimin më të madh në llogaritë e tyre e kanë kur klientët vendosin që të marrin pak nga alkooli.

E të gjithë furnizimin e këtyre kafiterive, por edhe marketeve shpesh herë e bëjnë nga vendet e huaja anipse në vendin tonë ka edhe prodhim të mirë të verërave, por edhe të birrës.

Madje thënë qartë alkooli mbetet një nga furnizimet më të mëdha e më të shpeshta në vendin tonë.

E kësisoj nga Dogana e Kosovës u bë e ditur se edhe në vitin që po lëmë pas importi i alkoolit ishte tejet i lartë.

Sipas të dhënave zyrtare për importin e rregullt të pijeve alkoolike gjatë vitit 2024, Kosova ka regjistruar një sasi prej 405 mijë e 147.30 litrash pije alkoolike, me një vlerë totale prej 11.9 milionë euro.

Nga ky import, shteti ka realizuar të hyra prej mbi 5.6 milionë euro, të ardhura nga Doganat, Akciza dhe TVSh-ja.

Bazuar në të dhëna nga Dogana e Kosovës, kontributi më i madh financiar vjen nga Akciza, që ka sjellë në buxhetin e shtetit 2.8 milionë euro, pasuar nga TVSh-ja me 2.6 milionë euro dhe Dogana me 220 mijë euro.

Këto shifra tregojnë rëndësinë e këtij sektori si burim të ardhurash për shtetin, ndërsa gjithashtu reflektojnë konsumin dhe kërkesën e qytetarëve për produktet alkoolike në vend.

Politikat fiskale dhe monitorimi i importit vazhdojnë të luajnë një rol kyç në sigurimin e këtyre të ardhurave.

Bazuar në këto të dhëna, alkooli vazhdon të mbetet një ndër kërkesat më të mëdha të kosovarëve në konsum. /Lajmi.net/