3 vjet nga rënia e policit Afrim Bunjaku, familjarët presin sot vizitorë të shumtë
Sot bëhen tri vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, ku më 24 shtator të vitit 2023 një grup i armatosur nga Serbia sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit. Në betejë me këtë grup kriminal, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u va në krye të detyrës dhe policë të tjerë u plagosën.…
Sot bëhen tri vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, ku më 24 shtator të vitit 2023 një grup i armatosur nga Serbia sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit.
Në betejë me këtë grup kriminal, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u va në krye të detyrës dhe policë të tjerë u plagosën.
Zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës këtë sulm e kanë quajtur akt agresioni nga Serbia ndaj shtetit të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori përmes avokatit të tij, Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Me vizita, homazhe dhe vendosjen e gurthemelit të një obelisku në Banjskë, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të shënojnë sot 3-vjetorin e rënies në detyrë të rreshterit Afrim Bunjaku.
Në hyrje të shtëpisë së familjes Bunjaku është vendosur fotografia e Afrim Bunjakut derisa familjarët do të presin përgjatë ditës qytetarë, familjarë, e shumë zyrtarë shtetërorë.
Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me vizitë te familja Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë. Në orën 10:40 do të bëhen homazhe te varri i tij, po në Samadrexhë.
Në orën 12:00, në Banjskë të Zveçanit, do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Bunjakut. Programi përkujtimor do të përmbyllet me një akademi në orën 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të ditës së diel të 24 shtatorit 2023, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore./Lajmi.net/

