Në mes shpresës e frikës nga kanceri- Mbi 2 mijë raste të reja brenda vitit, tek femrat më i shpeshtë kanceri i gjirit tek meshkujt ai i mushkërive
Klinika e Onkologjisë çdo vit pranon për trajtim nga 2 mijë e 100 raste të reja të personave që jeta i përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit. Të moshave të ndryshme e nga dy gjinitë, për një vend të vogël si Kosova shifrat e të prekurve rezultojnë të jenë të larta. Drejtori i klinikë…
Lajme
Klinika e Onkologjisë çdo vit pranon për trajtim nga 2 mijë e 100 raste të reja të personave që jeta i përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit.
Të moshave të ndryshme e nga dy gjinitë, për një vend të vogël si Kosova shifrat e të prekurve rezultojnë të jenë të larta.
Drejtori i klinikë së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi tha për lajmi.net se klinikën e frekuentojnë mbi 5000 persona në vit.
E ky numër total i pacientëve shënon për shkak se në klinikë trajtohen edhe raste nga vitet paraprake, ndjekje të sëmundjes, trajtime në rast rikthimi të sëmundjes, e me qëllim të mbajtjes së sëmundjes nën kontroll apo edhe rastet paliative.
Nga mosha 17-18 vjeçare deri tek moshat e shtyera trajtimin e gjejnë në Klinikën e Onkologjisë.
Trajtohen të gjitha llojet e tumoreve solide te të rriturit, përjashtim këtu bëjnë tumoret hematologjike dhe ato të fëmijëve që shërim kërkojnë në dy klinika të tjera.
“Me këtë sëmundje preken të dy gjinitë, në një përqindje të njëjtë por dallojnë patologjitë“, deklaroi Kurtishi.
Te femrat dominon kanceri i gjirit, ku mbi 450 gra fillojnë betejën me këtë sëmundje çdo vit.
Për dallim, te meshkujt është dominant kanceri i mushkërive. Mbi 270 meshkuj sëmuren thuajse çdo vit.
Pasuese për kah rastet janë patologjitë e zorrës së trashë dhe organeve gjenitale te femrat.
E sipas të dhënave nga kjo klinikë theksohet se janë vendosur 105 poltrone apo karrige onkologjike për marrjen e kimioterapisë që mundësojnë brenda orës të vendosen në trajtim mbi 100 pacientë për mjekim ditor. Kjo ofron kohë më optimale edhe për pacientët ashtu siç ofron kohë më optimale edhe për stafin e klinikës që trajtimi të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Por, sfidat vazhdojnë të mbesin të pashmangshme.
“Sfida më e madhe këtë vit ka qenë ofrimi i shërbimeve onkologjike në tri klinika të ndryshme të QKUK-së gjatë renovimit të klinikës, ku i gjithë stafi ka qenë maksimalisht i mobilizuar dhe i përkushtuar që shërbimet onkologjike, ato kimioterapeutike, radioterapeutike dhe hospitalore të mos ngecin por të ofrohen gjatë gjithë kohës pa asnjë vonesë“, deklaroi doktori.
E krahas kësaj, sfidë tjetër në vete paraqet nevoja e theksuar për staf infermierësh.
Krahas rritjes në shifra të pacientëve rritet edhe nevoja për infermierë, thonë nga klinika.
Po ashtu edhe numri i shërbimeve në të mirë të të prekurve është rritur, por fakti që një numër i konsiderueshëm i infermierëve janë larguar jashtë Kosovës drejt vendeve evropiane për punë ngrit një problem të radhës.
Këtë vit gjithsej u bashkuan 6 infermierë të rinj, e sa do të bashkohen vitin e ardhshëm mbetet të shihet. Por që kërkesa e tyre mbetet e qartë.
“Edhe përkundër faktit që këtë vit menaxhmenti i QKUK-së ka sjellë në klinikë 6 infermierë, kjo pak e ka zbutur nevojën e klinikës. Por që vitin tjetër klinika ka nevojë akoma për staf të ri infermieror, në mënyrë që cilësia e shërbimeve onkologjike në repartin e Kimioterapisë dhe Radioterapisë të jenë në nivelin e duhur“.
E në maj të vitit 2024 Klinika Onkologjike u rinovua pas shumë kohësh.
Ky renovim sado pak e bëri më të lehtë marrjen e terapisë dhe trajtimin në përgjithësi të të prekurve me kancere të ndryshme.
Rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, qendrës së vetme në Kosovë për trajtimin e pacientëve të prekur me kancer është përuruar pas një investimi mbi gjysmë milion euro.
Klinika, e cila është pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, tani i ka 60 shtretër, nga 45 sa kishte para rinovimit.
Shpeshherë, pacientët në këtë klinikë presin në radhë me orë të tëra për të gjetur shtrat për të marrë kimioterapi.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 u kontrolluan 30.000 persona në Onkologji, ndërsa janë konfirmuar 1.224 raste të reja me kancer.
Në këtë klinikë, në vitin 2022 ishin kontrolluar apo kishin marrë shërbime 47.351 persona, ndërkaq 1.736 ishin raste të reja.
Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera të nevojshme për ta.
Brenda 24 orëve, aty mesatarisht marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Në një studim të fundit sipas zyrës së organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë, pothuajse gjysma e grave në Kosovë nuk janë të informuara për procedurat e detektimit të hershëm të sëmundjeve malinje. Sëmundje malinje janë, për shembull, kanceri dhe leukemia. Shkalla e informimit është më e ulëta në mesin e grave mbi moshën 55 vjeçare.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka thënë se gjatë dy viteve të fundit, ka pasur rritje në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Për kushtet në Klinikën e Onkologjisë, sipas tij, viteve të fundit janë përmirësuar me rritjen e kapaciteteve, rritjen e numrit të shtretërve dhe duke punuar në decentralizimin e onkologjisë edhe në vendet e tjera për të ofruar shërbimet onkologjike, veçanërisht për kancerin e gjirit.
Sipas Vitisë, me zgjerimin e listës së barnave esenciale në 60 milionë euro, kurse sipas tij vetëm për onkologjinë janë ndarë 5 milionë euro./Lajmi.net