Kosova me vende fantastike- Mbi 316 mijë turistë nga gjithë bota erdhën për 9 muaj, Peja më e vizituara
Çdo vit e më shumë, Kosova po bëhet një vend i dashur për turistët nga vende të shumta të botës. Anipse vend jo shumë i madh krahasuar me atë çfarë ka bota, bukuritë e Kosovës, mikpritja e ushqimi fantastik kanë lënë përshtypje pozitive tek shumë popuj. Edhe gjatë vitit 2024, Kosova ka pritur qytetarë të…
Lajme
Çdo vit e më shumë, Kosova po bëhet një vend i dashur për turistët nga vende të shumta të botës.
Anipse vend jo shumë i madh krahasuar me atë çfarë ka bota, bukuritë e Kosovës, mikpritja e ushqimi fantastik kanë lënë përshtypje pozitive tek shumë popuj.
Edhe gjatë vitit 2024, Kosova ka pritur qytetarë të shumtë nga vendet evropiane, nga SHBA-të, Britania e Madhe e më gjerë.
Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2024, në Kosovë kanë ardhur mbi 316 mijë turistë apo saktësisht 316 mijë e 868 sosh.
Shqipëria mbetet vendi nga i cili kanë vizituar Kosovën më shumë, duke rrumbullakuar kështu numrin prej afro 78 mijë shqiptarë që kanë ardhur në Kosovë.
Pas Shqipërisë radhitet Gjermania me afro 37 mijë turistë të cilët vizituan vendin e qëndruan këtu, shkruan lajmi.net.
Gjatë këtyre muajve në Kosovë kanë ardhur turistë edhe nga Serbia e Bosna & Hercegovina, por në numër më të vogël.
Shteti | Turistët |
Austria | 8016 |
Belgjika | 4595 |
Bosna & Hercegovina | 1218 |
Britania e Madhe | 6912 |
Franca | 6609 |
Gjermania | 36648 |
Greqia | 2675 |
Holanda | 3503 |
Italia | 8958 |
Kroacia | 6720 |
Mali i Zi | 7350 |
Maqedonia | 13673 |
Polonia | 3278 |
Serbia | 6299 |
SHBA | 15469 |
Shqipëria | 77970 |
Sllovenia | 77970 |
Spanja | 3115 |
Turqia | 3817 |
Zvicra | 27514 |
Të tjera | 49566 |
Bazuar në të dhënat për qytetet e Kosovës të cilat janë vizituar më së shumti këtë vit, vërejmë se turistët në Kosovë pëlqejnë bjeshkët dhe natyrën e bukur të Pejës.
Vetëm gjatë periudhës janar-nëntor 2024, Pejën e kanë vizituar 157 mijë e 630 turistë nga vende të ndryshme të botës. Padyshim se natyra e bukur e Rugovës dhe më gjerë arrin ta fascinojë çdo person, e malet e bukura të vendit anipse pak të reklamuara janë nga më të veçantat e të pakrahasueshme me vendet e tjera.
Pas Pejës me shumë bukuri natyrore, renditet Prishtina më 123 mijë e 520 turistë, Prizreni me 109 mijë e 81 sosh e pastaj radhiten Ferizaji, Gjilani, Mitrovica e Gjakova.
Qytetet si Prishtina, Ferizaj e të tjera njihen edhe për jetën e natës që ua ofron të huajve. Shpesh herë vizitorët thonë se ushqimi i mirë e pijet jo shumë të shtrenjta ua bëjnë edhe më të mirë pushimin, e i bëjnë të vizitojnë Kosovën disa herë radhazi, shkruan lajmi.net.
Qyteti | Numri i turistëve |
Peja | 157630 |
Prishtina | 123520 |
Prizreni | 109081 |
Ferizaji | 37019 |
Gjilani | 28583 |
Mitrovica | 25400 |
Gjakova | 10430 |
Bazuar nga këto të dhëna të publikuara nga ASK, shohim se Kosova po bëhet një destinacion shumë i vizituar duke fituar një vend në hartën globale të turizmit.
Ky trend pozitiv është një dëshmi se turizmi mund të luaj një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.
Pavarësisht kësaj në Kosovë edhe këtë vit nuk u bë thuajse asgjë për turizëm. Pa u përmendur, pa u përmirësua kushtet e transportit e të pagesave mbetën edhe në Brezovicë, aty ku skijimi mund të bëhet më gjatë se kudo tjetër,
Brezovica madje s’u vizitua asnjëherë as nga kreu i Qeverisë e as nga zyrtarët të tjerë. S’e ftuan askënd të vi aty e ta vizitojë vendin e mahnitshëm të Brezovicës. Si shumë vende tjera turistike në Kosovë, ngjashëm ndodhi me to edhe këtë vit- mbetën pa përkrahje./Lajmi.net/