3.6 miliardë euro për vitin 2025, Kurti: Buxhet për qytetarët, për ta rritur mirëqenien e për ta zhvilluar ekonominë
Ditën e sotme u miratua në lexim të dytë Projektligji për buxhetin e vitit 2025. Duke e pasur parasysh që këtë Projektligj nuk e përkrahën partitë opozitare në vend, ata po ashtu as nuk qëndruan në sallë përderisa buxheti u votua. Buxheti i ardhshëm u votua me 61 vota pro, pa vota kundër e abstenime.…
Lajme
Ditën e sotme u miratua në lexim të dytë Projektligji për buxhetin e vitit 2025.
Duke e pasur parasysh që këtë Projektligj nuk e përkrahën partitë opozitare në vend, ata po ashtu as nuk qëndruan në sallë përderisa buxheti u votua.
Buxheti i ardhshëm u votua me 61 vota pro, pa vota kundër e abstenime.
Pas votimit përmes një postimi në Facebook reagoi kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kurti u shpreh se buxheti në fjalë është për rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit paraprak, ose 60% më i lartë sesa në 2020 e 50% më i lartë sesa në 2021.
“Buxheti 2025 me 3.6 miliardë euro, u miratua sot në Kuvend, dhe është për rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit paraprak, ose 60% më i lartë sesa në 2020 e 50% më i lartë sesa në 2021 (vite këto kur isha kryeministër me buxhete të trashëguara të pararendësve). Ky buxhet përmbanë paga më të larta për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pensionet e rritura me 20%, si dhe shtesat e fëmijëve gjithashtu të rritura. Përmbanë edhe mbështetjen për bizneset, për gratë ndërmarrëse e të rinjtë që nisin karrierën. Edhe bujqit do të vazhdojnë të jenë më të mbështeturit në rajon”, u shpreh Kurti në postimin e tij.
Ai ndër të tjera tha se ky buxhet është për qytetarët e vendit.
“Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët e vendit. Është buxhet për ta rritur mirëqenien e për ta zhvilluar ekonominë. Urime të gjithëve!”, shkroi ai./Lajmi.net