​27 vjet pas, “Shigjeta” vlerësohet operacioni më i lavdishëm i UÇK-së

Në 27-vjetorin e saj u kujtua beteja e madhe në Malet e Pashtrikut, ku u bashkuan mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, ku ushtria serbe kapitulloi. Në manifestimin e organizuar nga Shoqata “Shigjeta”në Prizren, përfaqësuesi Muhamet Ibrahmi tha se operacioni “Shigjeta” ishte kulmi i bashkimit të kombit shqiptar. Ibrahimi tha se ky operacion ka ndihmuar…

Lajme

26/05/2026 17:26

Në 27-vjetorin e saj u kujtua beteja e madhe në Malet e Pashtrikut, ku u bashkuan mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, ku ushtria serbe kapitulloi.

Në manifestimin e organizuar nga Shoqata “Shigjeta”në Prizren, përfaqësuesi Muhamet Ibrahmi tha se operacioni “Shigjeta” ishte kulmi i bashkimit të kombit shqiptar.

Ibrahimi tha se ky operacion ka ndihmuar NATO-n që të identifikojë objektivat armike.

“Operacioni më i madh frontal dhe më masiv i UÇK-së. Sakrifica e dëshmorëve tanë nuk harrohet dhe se lufta jonë e drejtë ishte çlirimtare dhe e shenjtë për liri. Operacioni “Shigjeta” nuk është vetëm një operacion ushtarak, ishte kulmi i organizimit, sakrificës dhe bashkimit të kombit shqiptar.

Në majin e vitit ‘99 tash e 27 vjet më parë në malin e Pashtrikut nisi ofensiva e UÇK-së, lufta tashmë kishte kaluar në luftë frontale. Urdhri për sulm u dha më 25 maj dhe 26 maj, filloi sulmi mbi pozicionet serbe. UÇK dëshmoi se ishte një forcë serioze ushtarake, e aftë për të zhvilluar operacione frontalë kundër okupatorit serb. Në koordinim me aleatët ndërkombëtarë ky operacion zhveshi nga kamuflimi ushtrinë e okupatorit serb, duke i mundësuar forcave ajrore të NATO-s identifikimin dhe goditjen më të saktë te objektivave armike. Në planin diplomatik operacioni ‘Shigjeta’ ndikoi drejtpëdrejt në përshpejtimin dhe kapitullimin e okupatorit serb”, tha Ibrahimi.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, shtoi se luftëtarët e UÇK-së vunë themelet e shtetit.

“Sot nderojmë një nga kryeveprat e UÇK-së, operacionin “Shigjeta”. Nuk ishte thjesht një operacion ushtarak, por një mishërim i vendosmërise sonë për liri.. Ata dëshmuan se trimëria dhe dashuria për atdheun mund të mposhtin çdo makineri ushtarake. Me gjakun dhe sakrificën e tyre, heronjtë tanë zhvilluan themelet e shtetit tonë. Sot dhe përgjithmonë ne përulemi me respekt para gjakut të dëshmorëve të tënë. Vepra e tyre eshtë dritë e udhërrëfyes për brezat që vijnë. Nuk jemi zullumqarë, jemi çlirimtarë”, shtoi Totaj.

Ish-komandanti i i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku tha se operacioni “Shigjeta”, fatkeqësisht nuk po përmendët as nga shteti ynë, por as nga armiku.

Ai e cilësoi si operacioni më të lavdishëm të UÇK-së.

“Fatkeqësisht, ky operacion ka mbetur në heshtje, edhe nga ana jonë, por edhe armikut. Me plot bindje, përgjegjësi e njohuri them se ka qenë operacioni më i lavdishëm i UÇK-së.

Ky operacion jo që ka ndikuar bindshëm në përfundimin e luftës, por i ka dhënë një imazh tjetër UÇK-së. Edhe pse bombardimet vazhdonin, shumë persona iu kanë përgjigjur thirrjes për mobilizim gjithëpopullor. Një numër jashtëzakonisht i madh dhe ky tregon për vullnet që i kemi pasure. UÇK-ja ka dëshmuar se ka arritur në një shkallë zhvillimi që të organizojë operacione sulmuese dhe të planifikoj t’i zbatojë ato. Ky operacion është produkt i mendimit dhe veprimit ushtarak të UÇK-së. Nuk është diku tjetër, edhe pse serbët e thonë se eshtë planifikuar në zyret e Uashingtonit”, tha Çeku.

Operacioni “Shigjeta” UÇK-së u zhvillua nga 27 maji e deri më 10 qershor 1999 dhe e gjunjëzoi Serbinë dhe e detyroi ta nënshkruante kapitullimin.