26-vjetori i masakrës në Tregun e Mitrovicës, Osmani: Mitrovica nuk u thye, Kosova nuk u gjunjëzua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 26-vjetorin e masakrës në Tregun e Mitrovicës. Osmani ka thënë se sot 26 vite pas, kujtohet me dhimbje masakra e tregut të Mitrovicës, ku humbën jetën shtatë persona në mesin e tyre edhe fëmijë. “Sot, 26 vite më pas, kujtojmë me dhimbje shtatë jetët e pafajshme që u…

Lajme

13/03/2025 13:59

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 26-vjetorin e masakrës në Tregun e Mitrovicës.

Osmani ka thënë se sot 26 vite pas, kujtohet me dhimbje masakra e tregut të Mitrovicës, ku humbën jetën shtatë persona në mesin e tyre edhe fëmijë.

“Sot, 26 vite më pas, kujtojmë me dhimbje shtatë jetët e pafajshme që u shuan tragjikisht në masakrën e tregut të Mitrovicës, ku dora kriminale e regjimit gjenocidal serb synoi që me granata ta thyejë shpirtin e një populli që luftonte për liri. Në mesin e viktimave kishte fëmijë e gra, njerëz të pafajshëm që, në vend të paqes, u përballën me brutalitetin”, ka shkruar Osmani.

Tutje e para e shtetit është shprehur duke thënë se në ditën tragjike 128 qytetarë mbetën të plagosur, teksa ishte bërë një sulm i pamëshirshëm ndaj civilëve.

“128 qytetarë atë ditë mbeten të plagosur, ndaj dhimbja u gdhend përjetësisht në trupat e tyre dhe në zemrat tona. Ishte një sulm i pamëshirshëm, një akt barbar që kishte për synim të mbillte frikë, por në vend të saj, mbolli forcë dhe vendosmëri. Mitrovica nuk u thye. Kosova nuk u gjunjëzua”, ka theksuar ajo.

Osmani thotë se në këtë përvjetor, përsëritet zotimi se: “ne do të kujtojmë, ne kërkojmë drejtësi dhe ne ecim përpara”.

“Sot përkulemi me nderim përpara atyre që humbën jetën, përpara plagëve të një qyteti që u bë simbol i rezistencës. Në këtë përvjetor, e përsërisim zotimin tonë: ne do të kujtojmë, ne kërkojmë drejtësi dhe ne ecim përpara. Lavdi viktimave të masakrës së tregut të Mitrovicës! Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës”, shkroi Osmani. /Lajmi.net/