26 vjet nga Nata e Tmerrit, Mitrovica nderon viktimat dhe të dëbuarit

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se më 4 shkurt 2026 do të shënohet 26-vjetori i Natës së Tmerrit, një nga ngjarjet më të rënda për banorët shqiptarë të veriut të qytetit, të cilët në periudhën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 u përballën me dhunë, vrasje dhe spastrim etnik. Sipas njoftimit, gjatë kësaj ngjarjeje tragjike…

Lajme

03/02/2026 13:24

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se më 4 shkurt 2026 do të shënohet 26-vjetori i Natës së Tmerrit, një nga ngjarjet më të rënda për banorët shqiptarë të veriut të qytetit, të cilët në periudhën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 u përballën me dhunë, vrasje dhe spastrim etnik.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj ngjarjeje tragjike u vranë 10 qytetarë, u plagosën 25 të tjerë, ndërsa rreth 12,000 banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.

Në nderim të dhimbjes, sakrificës dhe guximit të banorëve, Komuna e Mitrovicës ka organizuar aktivitete përkujtimore që do të mbahen më 4 shkurt 2026.

Programi parasheh vendosjen e pllakës përkujtimore te ura e re për këmbësorë në orën 11:00, hapjen e ekspozitës me fotografi nga Nata e Tmerrit në Qendrën e Kulturës në orën 12:00, si dhe ndezjen e qirinjve te ura e re në orën 12:30.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë publike këto aktivitete edhe në rrjetin social Facebook, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë përkujtim solemn.

Nga Komuna e Mitrovicës theksohet se këto aktivitete shërbejnë si kujtesë e dhimbjes dhe sakrificës së banorëve në mbrojtje të lirisë dhe pronës.