26 vjet KFOR, Barduani: 220 ushtarë humbën jetën gjatë sigurimit të paqes në Kosovë

Misioni paqeruajtës ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, që njëherësh është edhe misioni më i gjatë në historinë e Aleancës Atlantike, dhe aktualisht më i madhi, shënoi 26-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni përkujtimore të mbajtur sot, më 12 qershor 2025, në Shtabin e KFOR-it, në Kampin Film City në Prishtinë. Komandanti i…

Lajme

12/06/2025 12:55

Misioni paqeruajtës ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, që njëherësh është edhe misioni më i gjatë në historinë e Aleancës Atlantike, dhe aktualisht më i madhi, shënoi 26-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni përkujtimore të mbajtur sot, më 12 qershor 2025, në Shtabin e KFOR-it, në Kampin Film City në Prishtinë.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, e hapi ceremoninë me vendosjen e një kurore dafine në monumentin e të Rënëve në Shtabin e KFOR-it.

“Sot, ne nderojmë angazhimin dhe trimërinë e ushtarëve të KFOR-it, të cilët e vunë veten në rrezik në krye të detyrës për të siguruar paqen dhe stabilitetin për të gjitha komunitetet në Kosovë, nën një mandat të OKB-së. Që nga fillimi i Misionit në vitin 1999, dyqind e njëzet anëtarë të shërbimit të KFOR-it kanë humbur jetën gjatë shërbimit. Shembulli i tyre duhet të frymëzojë detyrat tona të përditshme në përmbushjen e misionit të KFOR-it”, tha Gjenerali Barduani.

Si misioni më i gjatë në historinë e Aleancës Atlantike dhe aktualisht më i madhi, Barduani tha se KFOR-i pasqyron angazhimin e qëndrueshëm dhe të prekshëm të NATO-s për të ruajtur sigurinë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin rajonal.

“Përpjekjet e KFOR-it mbeten themelore në mbështetjen e progresit të nevojshëm politik drejt stabilitetit afatgjatë në rajon”, shtoi ai.

Në ceremoni morën pjesë personeli i të gjitha 33 vendeve kontribuese me trupa, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.