25 dëshmitarë pritet t’i thërrasë mbrojtja, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja pritet që të thërrasë deri në 25 dëshmitarë në rast që do të paraqes provat e saj, gjë e cila varet nga vendimi i trupit gjykues ndaj mocionit për rrëzimin e akuzave. Sipas një parashtrimi të përbashkët të mbrojtjes, thuhet se 15 dëshmitarë pritet të dëshmojnë fizikisht në…

Lajme

17/06/2025 14:47

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja pritet që të thërrasë deri në 25 dëshmitarë në rast që do të paraqes provat e saj, gjë e cila varet nga vendimi i trupit gjykues ndaj mocionit për rrëzimin e akuzave.

Sipas një parashtrimi të përbashkët të mbrojtjes, thuhet se 15 dëshmitarë pritet të dëshmojnë fizikisht në sallën e gjyqit, ndërsa pjesa tjetër e dëshmive pritet që të paraqiten për t’u pranuar me shkrim sipas Rregullës 153 dhe 155, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aty thuhet se mbrojtja e Thaçit pritet që të thërrasë deri në 12 dëshmitarë që të dëshmojnë fizikisht, por ky numër mund të jetë edhe me i vogël.

Kurse, mbrojtja e Krasniqit pritet t’i thërrasë deri në 10 dëshmitarë e që pesë prej tyre të dëshmojnë drejtpërdrejt, ndërsa të tjerët me shkrim.

Sipas parashtrimit deri më tani mbrojtja e Veselit dhe Selimit kanë thënë që nuk kanë ndërmend që të thërrasin dëshmitarë, por ata rezervojnë të drejtën e tyre për të paraqitur prova.

Në anën tjetër, thuhet se duke u bazuar në këto vlerësime, i gjithë rasti i mbrojtjes pritet që të zgjasë rreth tre muaj duke përllogaritur edhe vonesat e mundshëm.

Por aktualisht, mbrojtja ka kërkuar që të zgjatet afati i tyre procedural pas vendimit të trupit gjykues më 5 qershor 2025, i cili i caktoi afate për secilën nga palët dhe pjesëmarrësit për vijueshmërinë e çështjes në këtë rast, në rast që refuzohet pjesërisht ose tërësisht kërkesa për rrëzimin e akuzave.