241 raste kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve janë lajmëruar në Komisionin Disiplinor
Nuk janë të pakët prokurorët dhe gjyqtarët të cilët bajnë shkelje disiplinore. Megjithatë, masat disiplinore të ndërmarra nga Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor janë shumë të buta.

Lajme
Përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se nëse vazhdohet me këto vendime të buta nga ana e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, do të degradohet sistemi i drejtësisë dhe do ketë rënie të besimit të qytetarëve në këtë sistem.
Edhe pse janë të thirrur për luftimin e krimit dhe vendosjen e drejtësisë, prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë janë vetë nën hetim dhe ndëshkim për shkelje disiplinore.
Sipas të dhënave të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, nga 1 janari 2015 deri me 28 Korrik të po këtij viti, janë pranuar gjithsej 241 parashtresa. Prej tyre 167 raste janë ndaj gjyqtarëve dhe 74 ndaj Prokurorëve.
Gjatë këtij viti, Zyra e Prokurorit Disiplinor ka rekomanduar pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në tri raste, e në rastet tjera shkarkimin e një gjyqtareje dhe të një prokurori. Sipas të dhanave, 68 parashtresa janë refuzuar dhe 166 parashtresa janë në fazën e hetimit preliminar .
ZPD ban të ditur se ka refuzuar edhe 87 raste, të cilat janë pranuar në fund të vitit 2014, por që për to është vendosë në vitin 2015.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ky numër i lartë i parashtresave në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, është shqetësues.Përveç shkeljeve disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve, sipas Musliut shqetësuese janë masat e buta të dy këshillave që ndërmerren.
Simbas tij, nëse vazhdohet me këto vendime të buta nga ana e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, do të ndodhë një degradim i sistemit të drejtësisë dhe do të ketë rënie të besimit të qytetarëve në këtë sistem.
Gjatë këtij 7 mujori, nga ZPD janë hapë 27 hetime disiplinore, 13 prej tyne janë ndaj gjyqtarëve dhe 14 ndaj prokurorëve. Landë të dërguara në Komision Disiplinor janë 15, nga të cilat, 10 në Komisionin Disiplinor Prokurorial ndaj prokurorëve dhe 5 në Komisionin Disiplinor Gjyqësor ndaj gjyqtareve. (rrokumtv)