24 milion euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, problem identifikimi

Viktimat e dhunës seksuale të kohës së luftës do t’i gëzojnë beneficionet e tyre.

Lajme

02/01/2015 19:21

Kjo është bërë e mundur pasi Kuvendi ka miratuar amendamentin e deputetes Alma Lama, me të cilin parashihet të fusë këtë kategori të ndjeshme në kuadër të ligjit për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të luftës. 

Kjo kategori do të përfitojë një shumë prej 24 milionë eurosh, të cilën e ka ndarë qeveria për kategoritë e dala nga lufta. Por, pavarësisht kësaj, një sfidë e madhe për institucionet do të jetë evidentimi i viktimave të dhunës seksuale, raporton KTV. 

Shumë pak raste deri më tani kanë pranuar që të paraqiten prej përfundimit të luftës. 

Një prej viktimave të dhunës seksuale, me të cilën kishte biseduar Kohavisioni, kishte thënë se gratë kosovare që i takojnë kësaj kategorie kanë nevojë për ndihmë institucionale. 

Pavarësisht se ky ligj tashmë është votuar dhe viktimave të dhunës seksuale u takojnë këto beneficione, deri tashti pak femra janë paraqitur te institucionet relevante, për të qenë përfituese të këtyre beneficioneve.