23 ditë protestë për Zvërnecin, organizatorët dalin me 5 kërkesa drejtuar Ramës
Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë sot në ditën e saj të 23-të, duke mbledhur sërish qytetarë në Tiranë. Protestuesit e konsiderojnë projektin turistik si një rrezik për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore, ndërsa shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike. Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u…
Lajme
Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë sot në ditën e saj të 23-të, duke mbledhur sërish qytetarë në Tiranë. Protestuesit e konsiderojnë projektin turistik si një rrezik për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore, ndërsa shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike.
Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u pajisën me pankarta dhe flamuj kombëtarë, për të marshuar më pas përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri para Kryeministrisë. Në momentin e mbërritjes, u këndua himni kombëtar dhe aktivistë e qytetarë morën fjalën duke përsëritur thirrjet për anulimin e projektit dhe duke kërkuar largimin e kastës së vjetër politike.
“Për 30 e ca vite kjo kastë politike nuk ka zgjidhur asnjë problem të qytetarëve, por kanë bërë ligje vetën në interes të një grup njerëzish. Zvërneci ishte vetëm shkëndija për popullin e lodhur nga kjo klasë politike. Nga ky bulevard do dalin ata që do ndërtojnë Shqipërinë e re. Kjo lëvizje është pa kthim pas, nuk do lodhemi”, tha një protestues.
Organizatorët e protestës lexuan një deklaratë me kërkesat që sipas tyre kërkojnë protestuesit, ku përfshihen një sërë pikash.
“Sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës. Në emër të grupit koordinues, duke dëgjuar propozimet e sovranit, dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe gjithë bashkëkombasit se kjo protestë kërkon: 1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë. 2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor. 3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë: ndryshimin e Kodit Zgjedhor; ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme; kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi. Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura. Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore. Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”. Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës”, ishin kërkesat që u lexuan nga një nga organizatorët në nisje të fjalës së tyre para Kryeministrisë.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit do të vijojnë marshimin në rrugë të tjera të kryeqytetit, duke paralajmëruar se aksionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre./rtsh