Ky është “Pablo Escobari” slloven që u arrestua në Kosovë, “bos” i drogës në Evropë e deri në Ekuador

Policia e Kosovës ka arrestuar dje një shtetas të Sllovenisë në Prishtinë, ndaj të cilit kishte urdhërarrest ndërkombëtar. Ai thuhet se po kërkohej në lidhje me veprën penale “Trafikim me lëndë narkotike”. Arrestimi i tij u bë nga autoritetet e Kosovës, në bashkëpunim me ato të Austrisë. “Bazuar në urdhëarrestin ndërkombëtar në bashkëpunim me autoritetet…

Bota

14/08/2024 11:56

Policia e Kosovës ka arrestuar dje një shtetas të Sllovenisë në Prishtinë, ndaj të cilit kishte urdhërarrest ndërkombëtar.

Ai thuhet se po kërkohej në lidhje me veprën penale “Trafikim me lëndë narkotike”.

Arrestimi i tij u bë nga autoritetet e Kosovës, në bashkëpunim me ato të Austrisë.

“Bazuar në urdhëarrestin ndërkombëtar në bashkëpunim me autoritetet e Austrisë është arrestuar një mashkull shtetas i Sllovenisë lidhur me veprën penale trafikim me lëndë narkotike”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

I njëjti më pas është dërguar në mbajtje.

Ndërsa i arrestuarit në këtë rast mësohet se është Anis Liqina. Ai ka qenë i dënuar për drogë në të kaluarën ndërsa ishte i njohur që nga protestat e vitit 2020.

Autoritetet sllovene janë njoftuar në lidhje me rastin në bazë të bashkëpunimit më Austrinë.

Sipas mediave sllovene, 43 vjeçari është përfolur vite më parë si një nga akterët kryesorë të trazirave të dhunshme në Lubjanë.

Nga mesi i tetorit 2020 deri më 5 nëntor 2020, ai thuhet se ka bërë thirrje për protesta të dhunshme, kryesisht përmes grupit në Facebook, “Vseslovenska vstaja naroda”.

Po ashtu thuhet se ai u jepte udhëzime protestuesve se si të sillen kur përballen me policinë.

Në protestat e dhunshme ishin përdorur edhe lënë piroteknike, e kubikë graniti.

Të plagosur kishin mbetur 15 policë e fotoreporter të plagosur rëndë. Pavarësisht këtyre akuzave, Liqina mohoi të ketë koordinuar ato.

Ai është dënuar për përfshirje në trafik droge dhe është dënuar në mesin e vitit 2022, ku u dënua me tri vjet e gjysmë burg anipse Prokuroria kishte propozuar gjashtë vjet dhe 7000 euro gjobë.
Më 3 dhjetor 2019, Policia e ndaloi atë në Gjermani, i kontrolloi makinën dhe i gjeti gati 90 mijë euro.

Pretendimi i prokurorisë se paratë vinin nga trafiku i drogës u vërtetua edhe në gjykatë, transmeton lajmi.net.

Grupi që rishiste drogë nga vjeshta e vitit 2017 deri në fillim të vitit 2020 në territorin e Sllovenisë, Kroacisë dhe Austrisë, duke fituar kështu të paktën 1.3 milionë euro.

Liqina raportohet se merrej me shitjen e ekstazisë, MDMA, kanabisit dhe hashashit.

Po ashtu me kontrabandim të kokainës me kontejnerë që transportonin nga Amerika e Jugut dhe Ekuadori.

Përpos kësaj i njëjti ngarkohej me akuzat për furnizim me kokainë nga Iraku dhe prodhim të amfetaminës në Slloveni.

Madje në një fabrikë prodhimi, Policia kishte sekuestruar rreth 100 kilogramë të saj.

Në vitin 2014, Liqina ishte paraqitur në gjykatë me akuzat që e lidhnin atë me kontrabandën e migrantëve të paligjshëm. Pas protestave të vitit 2020, ai u tha mediave se nuk ishte dënuar për këto akuza./Lajmi.net/