Qeveria e re gjermane dëshiron të tërheqë të rinjtë në ushtri
Ushtria gjermane duhet të modernizohet, por paratë mund të zgjidhin vetëm një pjesë të problemit. Sfida më e madhe mbetet mungesa e stafit dhe kjo është arsyeja pse qeveria e re nën udhëheqjen e Friedrich Merz planifikon të prezantojë një formë të re të shërbimit ushtarak. Kryetari i SPD, Lars Klingbeil tha për Berliner Morgenpost,…

Bota
Ushtria gjermane duhet të modernizohet, por paratë mund të zgjidhin vetëm një pjesë të problemit.
Sfida më e madhe mbetet mungesa e stafit dhe kjo është arsyeja pse qeveria e re nën udhëheqjen e Friedrich Merz planifikon të prezantojë një formë të re të shërbimit ushtarak.
Kryetari i SPD, Lars Klingbeil tha për Berliner Morgenpost, se shumë njerëz mund të tërhiqen përmes shërbimit vullnetar.
“Pse të mos bëjmë të mundur sërish dhënien e provimit të drejtimit falas në ushtri? Bundesveri duhet të bëhet një punëdhënës tërheqës në mënyrë që të rrisë aftësinë mbrojtëse të Gjermanisë, shton ai.
Komisionarja e Bundesverit Eva Högl paralajmëroi në një raport të vitit 2024 se pajisjet, personeli dhe infrastruktura duhet të përmirësohen urgjentisht. Synimi është rritja e numrit të ushtarëve në 203 mijë deri në vitin 2031. Në fund të vitit 2024, ishin vetëm 181.174 të tillë dhe mosha mesatare e ushtarëve u rrit nga 32.4 vjeç në vitin 2019, në 34-vjeç.
Ministri aktual i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) mbron një model të ri të bazuar në vullnetarizëm. Të rinjtë e moshës së shërbimit do të ftoheshin të plotësonin një pyetësor, meshkujt obligim, femrat vullnetarisht. Qëllimi është që të rinj të tillë të përballen për herë të parë më seriozisht me ushtrinë e Gjermanisë.
Ndryshe nga SPD, në CDU/CSU duan të rifusin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Megjithatë, analistët shprehin dyshime për realizueshmërinë e një plani të tillë. Christian Richter nga Instituti i Bundesverit për Kërkimin e Mbrojtjes (GIDS), thotë se për këtë do të nevojiteshin kazerma shtesë, qendra rekrutimi dhe testimi.
Severin Pleyer nga Universiteti Helmut-Schmidt në Hamburg mendon në mënyrë të ngjashme.
“Ne nuk kemi as një ide bazë se çfarë modeli duam. Sistemi i mëparshëm ishte tashmë i lëkundur, atëherë dhe sfidat aktuale kërkojnë një qasje krejtësisht të re,” tha ai.
Meqenëse SPD me shumë gjasa do të mbajë Ministrinë e Mbrojtjes, pozicioni i Boris Pistorius për modelin vullnetar është bartur në marrëveshjen e re të koalicionit. Megjithatë, pavarësisht nga mjedisi i luftës, SPD-ja është e qartë se nuk ka dërgim të ushtarëve gjermanë në Ukrainë.
“Nuk mund ta imagjinoj se do të dërgojmë ushtarë gjermanë në atë luftë”, tha Lars Klingbeil.