20 vjet në BE: të rinjtë e Evropës Qendrore dhe Lindore reflektojnë për jetën në union
Gjatë dy dekadave që shumica e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u anëtarësuan në Bashkimin Evropian në vitin 2004, pati një transformim të jetës së qytetarëve të këtyre vendeve. Ky 20-vjetor përjetohet tashmë nga të rinj të lindur në Bashkimin Evropian, një brez që reflekton ndikimin e unionit në jetët e tyre dhe në…
Bota
Gjatë dy dekadave që shumica e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u anëtarësuan në Bashkimin Evropian në vitin 2004, pati një transformim të jetës së qytetarëve të këtyre vendeve. Ky 20-vjetor përjetohet tashmë nga të rinj të lindur në Bashkimin Evropian, një brez që reflekton ndikimin e unionit në jetët e tyre dhe në vizionin e tyre për të ardhmen.
Nga fermat e Polonisë dhe deri tek Estonia me novacionin e saj teknologjik, të rinjtë evropianë nga Evropa Qendrore dhe Lindore reflektojnë rreth premtimeve të së kaluarës dhe shpresave për të ardhmen e BE-së, përpara zgjedhjeve të unionit që mbahen në qershor.
Në Poloni, 19-vjeçari Damian Krajza punon tokën dhe vë në dukje diferencat mes Evropës Lindore dhe Perëndimore. Krahas punës në fermë, ai është edhe anëtar i këshillit komunal. Ai përmend trajtimin jo të barabartë të Evropës Lindore nga BE-ja, në veçanti për sa i përket subvencioneve për bujqësinë. Ai gjithashtu shpreh shqetësimin për politikat mjedisore të BE-së, që ai mendon se do të dëmtojnë ekonominë, ndërkohë që vendet fqinje të BE-së vazhdojnë ta shtojnë ndotjen me gaz karbonik.
“Do të shkatërrojmë ekonominë tonë, industrinë tonë, industrinë e rëndë dhe bujqësinë, për të mbështetur pseudo-ekologjinë”, thotë zoti Krajza.
Ndërkaq në kryeqytetin Varshavë, studentja 19-vjeçare dhe anëtare e këshillit bashkiak, Julia Klimkiewicz përshëndet mundësitë që thotë se i ka ofruar Bashkimi Evropian, si mundësinë për të udhëtuar lirisht dhe për të marrë pjesë në programe shkëmbimi. Ajo bën thirrje sidoqoftë për të mos treguar entuziazëm të verbër për BE-në. Ajo thotë se e ardhmja e BE-së do të përcaktohet nga një politikë e mençur emigracioni dhe nga fuqizimi i një ushtrie evropiane, në veçanti pas konfliktit në Ukrainë.
“Kur filloi lufta në Ukrainë, pamë se sa zgjidhje naive është që të mbështetemi vetëm dhe ekskluzivisht tek NATO-ja”, thotë ajo.
Në Pragë, në Republikën Çeke, studentja 20-vjeçare Rozalie Vorlova thotë se vlerëson pakësimin e procedurave burokratike nga BE-ja, por është e shqetësuar se çfarë do të ndodhte me vendin e saj nëse do të largohej një ditë nga unioni.
“Mendimi im është se nëse do të largoheshim nga Bashkimi Evropian, atëherë Republika Çeke do të ishte shumë në rrezik nga Rusia”, thotë ajo.
Në Estoni, një vend i njohur për kompanitë e reja teknologjike, Kevin Kaldalu, bashkëthemelues i kompanisë së re BoxBox, lavdëron Bashkimin Evropian për financimin e programeve që i ndihmojnë kompanitë e reja teknologjike. Ai vlerëson tregtinë e lirë brenda BE-së dhe lehtësinë e bërjes së biznesit në një union pa kufij të brendshëm.
“Me ritmin e rritjes që kemi, ndihmon fakti që mund të zgjerohemi me shpejtësi pa patur nevojë të mbetemi vetëm brenda kufijve të Estonisë, që do të kishte qenë jo mirë për ne”, thotë zoti Kaldalu.
Në Estoni u konceptua për herë të parë programi i komunikimeve me video Skype. Ahti Heinla ka qenë programues i Skype-it dhe tashmë ka themeluar kompaninë Starship. Ai thotë se tregu i përbashkët i BE-së u mundëson kompanive të reja në Estoni që të mendojnë për tregun ndërkombëtar që në ditët e para të aktivitetit. Zoti Heinla pranon megjithatë sfidën nga fenomeni i mbiquajtur “largimi i trurit” nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ndërsa shumë të rinj shkojnë në vendet e Evropës Perëndimore.
“Lëvizja e lirë është qartazi një thikë me dy presa. Mendoj se ka patur përfitime të mëdha prej saj, por disa vende kanë përfituar shumë më tepër dhe disa vende kanë humbur shumë më tepër. Nga vendet e Evropës Lindore në veçanti, ka patur shumë njerëz që janë larguar drejt vendeve qendrore dhe perëndimore. Largimi i trurit është i vështirë për vendin”, thotë zoti Heinla.
Të rinjtë nga vendet e ndryshme flasin për shpresat e tyre apo për gjërat të cilave u ndruhen, ndërsa po afrojnë zgjedhjet evropiane që mbahen në 6 – 9 qershor, kur ata do të mund të votojnë për herë të parë për anëtarët e parlamentit të Bashkimit Evropian. /VOA