2 mijë e 698 vetura u importuan nga Korea në Kosovë brenda pesë muajve, rreth 40 milionë euro vlerë- Gjermania e Zvicra mbeten prapa
Në mungesë të transportit hekurudhor të përshtatshëm, e në probleme të mëdha sa i përket transportit publik me autobusë- kosovarët vazhdojnë që mjetet kryesore transportuese t’i kenë automjetet. Kësisoj kosovarët thuajse janë të prirur për të vozitur makina nga ma të shtrenjtat, e deri tek ato më ekonomike. Në Kosovë mund të shohim makina aq…

Lajme
Në mungesë të transportit hekurudhor të përshtatshëm, e në probleme të mëdha sa i përket transportit publik me autobusë- kosovarët vazhdojnë që mjetet kryesore transportuese t’i kenë automjetet.
Kësisoj kosovarët thuajse janë të prirur për të vozitur makina nga ma të shtrenjtat, e deri tek ato më ekonomike.
Në Kosovë mund të shohim makina aq të shtrenjta sa rrallë herë shihen nëpër vende të tjera të Evropës e botës.
Por nga ku importohen më së shumti këto vetura?
Lajmi.net ka kontaktuar me Doganën e Kosovës nga ku janë dhënë të dhëna sa i përket importit të veturave përgjatë disa muajve, saktësisht nga janari deri në maj të këtij viti.
E nga këto shifra zyrtare del se në fakt kosovarët importin më të madh të makinave po e bëjnë pikërisht nga Korea.
Madje importi i makinave nga Korea ua kaloi edhe atyre nga Gjermania që për shumë vite mbanin primatin.
Për gati pesë muaj, në Kosovë u importuan në total 13,360,00 vetura, në vlerë prej 218,757,322.78 euro e ku taksat arrijnë në 62,462,881.77 euro.
E vetëm nga Korea kosovarët importuan hiç më pak se 2 mijë e 698 vetura në vlerë 36 milionë e 948 mijë e 550 euro e 69 cent.
Kurse pas Koreas renditet Gjermania ku në Kosovë u importuan 2 mijë e 678 vetura apo 48 milionë e 352 mijë e 801 euro.
Po ashtu vetura të shumta janë importuar nga Zvicra, më saktësisht 2 mijë e 118 vetura në vlerë 23 milionë e 535 mijë e 157 euro e pas Zvicrës është Franca nga ku u importuan 1 mijë e 156 vetura në vlerë 24 milionë e 251 mijë e 630 euro.
Interesante është edhe Shqipëria, nga ku janë importuar vetëm 149 vetura, kurse nga Austria 225. Pesë vetura janë importuar edhe nga Emiratet e Bashkuara e pesë të tjera nga Mbretëria e Bashkuar.
Një numër i konsiderueshëm u importuan edhe nga Maqedonia e Veriut, saktësisht 864 vetura.
Kurse nga Amerika kosovarët importuan gjithsej 201 vetura.
Duhet përkujtuar këtu se gjatë këtij viti, Dogana e Kosovës pati njoftuar se është marrë vendim që të harmonizohet çmimi i automjeteve nga Korea me ato të katalogut të tregut evropian.
E reagime të shumta ka pasur shpesh herë sa i përket blerjes së automjeteve nga Korea- madje autosallonet në Kosovë bënin thirrje që ato të mos blihen.
Por sipas raportimeve e gjithë kjo lidhet me “interesin” që makinat të blihen në autosallonet kosovare me çmime shumëfishë më të shtrenjta. /Lajmi.net/