Gati 2 milionë numri i përdoruesve të internetit- “Përkthim” ishte fjala më e kërkuar nga kosovarët, e pabesueshme kush ishin dy personat më të kërkuar
“Google” është padyshim makina më e njohur e kërkimit e internetit në gjithë botën. Aty mund të kërkojmë gjërat, faktet e personat që na interesojnë më së shumti, varësisht prej preferencave. Si në çdo vend tjetër të botës, edhe në Kosovë ka mjaft përdorues të internetit, përkatësisht të rrjeteve sociale. Kurse, ajo se çfarë kosovarët…
Lajme
“Google” është padyshim makina më e njohur e kërkimit e internetit në gjithë botën. Aty mund të kërkojmë gjërat, faktet e personat që na interesojnë më së shumti, varësisht prej preferencave.
Si në çdo vend tjetër të botës, edhe në Kosovë ka mjaft përdorues të internetit, përkatësisht të rrjeteve sociale. Kurse, ajo se çfarë kosovarët kërkojnë më së shumti në “Google” përfshinë disa fusha të ndryshme, prej politikës deri të showbizi.
Madje kosovarët si popull po komentohen shumë sa i përket përdorimit të internetit. Shpesh herë shumica e kosovarëve e gjejnë veten duke komentuar nëpër rrjetet sociale pa pikë problemi. Këto rrjete sociale madje në disa raste u bën shkak edhe të njoftimeve në shoqëri, krijimit të lidhjeve, deri tek arrestimi e intervistimi i shumë prej atyre që ofendojnë e kërcënojnë duke shkruar në profile të ndryshme.
E në lidhje me rrjetet sociale, përdorimin e internetit, lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin e rrjeteve sociale, Valon Kerolli, i cili zbuloi se çfarë dhe kush u kërkua më së shumti në Kosovë dhe në botë gjatë vitit 2024.
I pyetur se cila ishte fjala më e kërkuar në vend gjatë 12 muajve të fundit, Kerolli tha se ishte fjala “Translate”, përkthimi i së cilës është “Përkthej”. Mund të hamendësohet se pas liberalizimit të vizave, është rritur edhe dëshira e kosovarëve për të mësuar fjalë të reja, para ose pas udhëtimeve nëpër vende të ndryshme të Evropës. Madje direkt në “Google” shumë prej kosovarëve shkruajnë “translate…” në mënyrë që të lidhen direkt me “Google translate” e t’ua mundësojë përkthimin e ndonjë fjale, lajmi apo ndonjë dokumenti çfarëdo qoftë ai.
Por në mesin e kërkimeve që u bën nga kosovarët nuk është se priu ndonjë shkencëtarë, shkrimtarë, artistë apo diçka e tillë. E çuditshme është se aty priu pikërisht një person që pati probleme të shumta me ligjin.
Sa i përket tri personazheve vendore, listës i prinë Faton Hajrizi, i njohur për arratisjet e tij të shumta nga burgjet e Kosovës e që përfundoi i vrarë në Serbi në korrik të këtij viti. Vendndodhja e tij nuk dihej për disa ditë pas ikjes nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri, teksa emri i Faton Hajrizit filloi të përmendej pas vrasjes së një polici në Lloznicë të Serbisë.
Ngjarja ishte bërë më interesante kur dorasi kishte ikur nga vendi i ngjarjes dokumentet e Artan Hajrizit, vëllait të Fatonit, i cili jetonte në Gjermani. Por, disa orë më vonë, shteti serb kishte njoftuar për vrasjen e Faton Hajrizit, që ishte në kërkim nga policia serbe. Ai ishte qëlluar për vdekje nga Policia e Serbisë pasi ishte fshehur për orë të tëra në një komplet të braktisur të fabrikash, teksa ishin shpërndarë edhe fotografi të viktimës.
Ky rast, që kishte përfshirë edhe krerët shtetit të Kosovës në debatin se a kishin dështuar institucionet e vendit në ikjen e tij jashtë vendit dhe a duhej parë si “hero” që kishte vrarë një polic në Serbi, e bën Faton Hajrizin personazhin më të kërkuar në “Google” në Kosovë në vitin 2024.
Personazhi i dytë më i kërkuar del të jetë edhe më interesant. Në fakt në listën e personazheve të kërkuara radhitet i dyti biznesmeni Erolld Belegu. Kërkimet për Erolld Belegun u rritën nga koha kur lidhja e tij e dashurisë u zyrtarizua. Belegu u bë më i kërkuar dhe i njohur pas lidhjes me nutricisten dhe ish pjesëmarrësen e “BigBrother VIP Albania”, Diola Dosti.
Lidhja mes biznesmenit me të dashurën e tij bëri bujë në botën e showbizit, kjo për shkak të diferencës së tyre në moshë.
Edhe pse Belegu, 58-vjecar, kurse Diola 37-vjecare, duke e bërë dallimin me tyre 21 vite, nuk i ka ndalur ata që ta zyrtarizojnë lidhjen e tyre.
Gjatë gjithë vitit ata kanë postuar fotografi në rrjete sociale, duke ndarë momente romantike dhe harmoninë që mbizotëron mes tyre.
Personazhi i tretë më i kërkuar ishte gazetari Lirim Mehmetaj, i cili u bë u njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Mehmetaj, që është i rregullt në emisionin “Debat Plus në TV Dukagjini”, u bë i njohur edhe më shkrimet e tij në rrjetin sociale Facebook, që shpesh herë marrin reagime, komente e shpërndarje në numër të madh.
Ndërsa kur flasim për fushën e politikës dy emrat më të kërkuar s’janë aspak çudi. Listës më të kërkuar i prijnë kryeministri Albin Kurti si dhe presidentja Vjosa Osmani.
Duke marrë parasysh edhe aktivitetet e tyre shtetërore, Kurti dhe Osmani ishin zyrtarët shtetërorë më të kërkuar e komentuar në vend.
Presidentja Osmani ishte më e angazhuar në përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare, përkatësisht të politikës së jashtme. Ajo pati marrë pjesë në shumë takime e konferenca ndërkombëtare, teksa fjalimi i saj në Kuvendin e Kosovës, pak javë më parë, nxiti debate të shumta.
Aty tërthorazi, ajo e kishte kritikuar kryeministrin Kurti se po luan bixhoz me fatin e Kosovës, që në sytë e shumë njohësve u pa si çarje mes dy udhëheqësve të shtetit.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, është i njohur për gjuhën elokuente dhe retorikën e tij “me rima”, që e bën gjithashtu politikanin më të kërkuar, së bashku me presidenten Vjosa Osmani.
Kreu i Qeverisë ishte gjithashtu mjaft i ashpër ndaj mediave e opozitës, shpesh duke i vënë në anën e Serbisë.
Me mbi 3 miliardë përdorues në botë, “Facebook” ishte gjithashtu rrjeti social më i përdorur në Kosovë.
Ai la pas edhe platformën e njohur për video TikTok, i kritikuar për sfidat për të rinjtë, si dhe Instagram e Snapchat, të dyja këto të përdorur kryesisht nga moshat e reja.
Sa i përket emisionit më të shikuar, preference e kosovarëve ishte reality show “Big Brother Vip Kosova 2”. I filluar në tetor të vitit të vitit të kaluar, ky emision pritet të përfundoj edhe pak javë, duke përmbyllur rrugëtimin prej 100 ditëve.
Pjesë e shtëpisë së njohur janë personazheve të fushave të ndryshme, teksa debatet e tyre po shikohen e komentohen mjaft shumë, duke e bërë emisionin më të kërkuar në vend.
Kerolli gjithashtu tha se muaji me më së shumti përdorues të internetit në Kosovë ishte tetori, me 1,879,524 përdorues.
Ndërkaq, kur flasim në nivel global, Donald Trump ishte personi më i kërkuar në 12 muajt e fundit.
Presidenti i zgjedhur amerikan, që pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pas 4 viteve, u bë i njohur për fushatën e tij elektorale dhe gjuhën thumbuese ndaj kundërkandidates demokrate, Kamala Harris.
Zgjedhjet në ShBA u mbajtën më 5 nëntor, teksa Trump doli fitues duke premtuar përmirësimin e Kostos së jetesës së amerikanëve si dhe ishte zotuar se do të sillte paqe në botë, duke përmendur përfundimin e luftës në Ukrainë.
Trump ishte president i ShBA-ve në vitet 2016-2020, kurse për mandatin e ri pritet të inaugurohet më 21 janar 2025.
Në fushën e sportit ishin 3 sportista që ngjallën kureshtje më së shumti, duke u kërkuar në “Google”.
Boksierja algjeriane, Imane Khelif, u komentua në të gjithë botën pasi në vitin 2023 kishte marrë një ndalim nga Federata Ndërkombëtare e Boksit për dështim në testin gjinor, por ajo u lejua në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 dhe në ndeshjen hapëse të saj triumfoi pas 46 sekondash, pasi kundërshtarja Angela Carini u dorëzua në mes lotësh nga goditjet e forta të pësuara, çka ndezi polemika të mëdha.
Fituesja e medaljes olimpike u bë kryefjala e Lojërave Olimpike pas raportimeve se ishte femër transgjinore, teksa ajo ka nisur një rrugë gjyqësore ndaj dy personazheve të njohur, të cilët e kishin akuzuar publikisht, Elon Musk dhe JK Roëling, ndërsa një emër i përmendur është dhe ai i Donald Trump.
Sportisti i dytë më i kërkuar ishte boksieri legjendar amerikan, Mike Tyson.
Ai ishte rikthyer në ring më 16 nëntor të këtij viti për t’u përballur me sensacionin e internetit Jake Paul në një nga ndeshjet më kontroverse të kohëve të fundit.
Në një përzierje e të shkuarës dhe të tashmes së boksit, ky meq nuk arriti të ofrojë emocionet që shumë kishin pritur, me Tyson që përfundoi i mposhtur.
Ndeshja u transmetua në shtrirjen globale të Netflix prej 283 milionë abonentësh në mbarë botën. Jake Paul fitoi 30 milionë funte, ndërsa Tyson gjysmën e tyre.
Në top 3-shen e sportistëve më të kërkuar ishte super talenti i Spanjës, Lamine Yamal, që me golin ndaj Francës u bë golashënuesi më i ri i në një kampionat evropian, në moshën 16-vjecare.
Përveç kësaj, Yamal kishte thyer edhe një rekord tjetër. Me fitoren ndaj Anglisë në finale, në moshën 17-vjeçare, anësori spanjoll u bë fituesi më i ri një Kampionati Evropian (Euro 2024).
Pas këtyre performancave mbresëlënëse, Yamal u kurorëzua me çmimin Golden Boy, që nderon lojtarët më të mirë në Evropë nën moshën 21 vjeç.
Forma e tij e lartë vazhdoi edhe me ekipin e Barcelonës, ku tashmë është bërë titullar i padiskutueshëm.
Se cili personazh dhe cila fjalë do të kërkohet më së shumti gjatë 2025-ës pritet të shihet, varësisht prej zhvillimeve dhe ngjarjeve në vijim si në vendin tonë, por edhe në Evropë e më gjerë. /Lajmi.net/