Zyrtarët komunalë mbërrijnë në ish-shkollën teknike në Obiliq pas gjetjeve të pazakonta në objekt
Zyrtarët e Komunës së Obiliqit kanë dalë në vendngjarje në objektin e ish-shkollës Teknike, ku gjatë punimeve për pastrimin e objektit janë hasur disa gjetje të pazakonta. Objekti, nga i cili nxënësit shqiptarë ishin dëbuar në vitin 1990, ishte liruar këtë vit pas 27 vitesh uzurpim dhe Komuna e Obiliqit kishte nisur punën për pastrimin…
Lajme
Zyrtarët e Komunës së Obiliqit kanë dalë në vendngjarje në objektin e ish-shkollës Teknike, ku gjatë punimeve për pastrimin e objektit janë hasur disa gjetje të pazakonta.
Objekti, nga i cili nxënësit shqiptarë ishin dëbuar në vitin 1990, ishte liruar këtë vit pas 27 vitesh uzurpim dhe Komuna e Obiliqit kishte nisur punën për pastrimin dhe rregullimin e tij.
Gjatë ndërhyrjeve në bodrumin e objektit janë hasur thasë të varur në tavan dhe një gropë e madhe, ndërsa sipas informacioneve të siguruara nga Lajmi.net, në hapësirat e objektit është zbuluar edhe një ambulancë që dyshohet se i përkiste strukturave ilegale serbe.
Po ashtu, janë ngritur dyshime se në këtë objekt mund të ketë edhe një varrezë masive që lidhet me luftën e fundit në Kosovë.
Për këto pretendime deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nga institucionet përgjegjëse.
Në vendngjarje kanë arritur edhe njësitë e Policisë së Kosovës, ndërsa pritet që institucionet kompetente të sqarojnë natyrën e gjetjeve dhe nëse ato lidhen me ndonjë rast të periudhës së luftës.
Lajmi.net ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë për të marrë më shumë informacione lidhur me rastin, por deri në publikimin e këtij raportimi nuk ka marrë përgjigje. /Lajmi.net/
