ZRrE kërcënon bizneset: Atyre që nuk arrin marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, do t’iu ndalet furnizimi me rrymë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ka bërë një sqarim publik në lidhje me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, çka ka thënë se është një detyrim ligjor i cili sipas tyre është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2016. “Në atë kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në ligjet e sektorit…

Lajme
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ka bërë një sqarim publik në lidhje me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, çka ka thënë se është një detyrim ligjor i cili sipas tyre është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2016.
“Në atë kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në ligjet e sektorit të energjisë ka transpozuar direktivat Evropiane për energjinë, duke përcaktuar se duhet të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike. Pra, procesi i derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në ligjet e sektorit të energjisë derivon nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”, ka shkruar ZRrE.
Nga ZRrE kanë thënë se nga viti 2017 kanë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe kanë thënë se nga viti 2017 ka filluar procesi i derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial.
“Megjithatë, zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas kësaj, ZRrE ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”, ka njoftuar ZRrE.
Ata kanë thënë se kanë licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike.
“Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët.
Sqarojmë opinionin publik se 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalur në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre:
- 9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale;
- 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues.
Duhet theksuar se edhe këto pika matëse të cilët kanë mbetur pa furnizues, kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 Qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë”, ka shkruar ZRrE.
Ata kanë kujtuar edhe mundësinë për të lidhur kontrata me KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit për 60 ditë nga 1 qershori, ndërsa kanë kërcënuar bizneset se do t’iu shkyçet energjia elektrike nëse nuk lidhin kontrata.
“Duhet njoftuar se sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta. ZRrE do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm. ZRrE mbetet e përkushtuar të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane”, ka shtuar ZRrE. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: