Xhemaili i reagon VV-së: Ju i dërguat tre zyrtarë të shtetit në Serbi, punëtori i Trainkos ua zbuloi skandalin

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj deklarimeve të Vetëvendosjes, duke e akuzuar këtë parti se po përpiqet t’ua bartë përgjegjësinë bizneseve vendore për skandalin në Trainkos. Xhemaili ka ngritur pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për kontrollimin e procedurave shtetërore, duke pretenduar se institucionet kanë qenë ato që e kanë miratuar procedurën…

Lajme

24/08/2026 20:57

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj deklarimeve të Vetëvendosjes, duke e akuzuar këtë parti se po përpiqet t’ua bartë përgjegjësinë bizneseve vendore për skandalin në Trainkos.

Xhemaili ka ngritur pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për kontrollimin e procedurave shtetërore, duke pretenduar se institucionet kanë qenë ato që e kanë miratuar procedurën dhe kanë dërguar zyrtarë shtetërorë në Serbi.

“VV po bën atë që di më së miri, fajëson bizneset vendore për të fshehur skandalet e veta shtetërore. A nuk jeni ju ata që duhet ta kontrolloni shtetin dhe çdo procedurë?”, ka shkruar Xhemaili.

Sipas tij, çështja kryesore është fakti se në vendimin përkatës nuk përmenden biznesmenë privatë, por zyrtarë të shtetit.

“Në fakt, e keni kontrolluar: ia keni dhënë vizën tenderit dhe keni nisur në Serbi 3 zyrtarë të shtetit bashkë me qindra mijëra euro. Këta edhe shkojnë në Serbi, edhe u gjuhen bizneseve kosovare me linçime”, ka deklaruar ai.

Xhemaili ka ngritur edhe një pyetje konkrete për tre personat e përfshirë në këtë udhëtim.

“Ky është krejt skandali bazik. Në atë vendim nuk shkruan se në Serbi po shkojnë biznesmenë privatë. Aty shkruan e zeza mbi të bardhë se kanë shkuar ZYRTARËT E SHTETIT. Pyetja është vetëm një: Cili prej atyre tre personave nuk është zyrtar i shtetit? Të tre janë”, ka thënë zëdhënësi i Aleancës.

Në fund, Xhemaili ka ngritur pikëpyetje edhe lidhur me largimin nga puna të një personi që, sipas tij, e kishte bërë publike këtë çështje.

“Dhe krejt në fund, po të mos ishte skandal, pse do të duhej ta shkarkoni nga puna një person vetëm pse e tha të vërtetën publike?!”, ka përfunduar Xhemaili.