Wesley Clark nis dëshminë e tij në Hagë

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark, ka filluar dëshminë e tij në Hagë. Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Gjykatësi ka thënë se dëshmia e dëshmitarit do të jetë vetëm për disa tema të caktuara. Dëshmia e tij pritet të zgjasë deri…

Lajme

17/11/2025 12:54

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark, ka filluar dëshminë e tij në Hagë.

Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Gjykatësi ka thënë se dëshmia e dëshmitarit do të jetë vetëm për disa tema të caktuara.

Dëshmia e tij pritet të zgjasë deri të mërkurën, pas së cilës gjykata do të mbajë një konferencë për ecurinë e rastit. Ndërkohë, seanca e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.

Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.

Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se 14 nëntori shënon përfundimin e fazës së mbrojtjes.

Parashtresat përfundimtare, si dhe deklarimet për ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat, pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025. /Lajmi.net/