Vetëm tri ditë, gjashtë viktima – aksidentet fatale në Vushtrri, Istog dhe Komoran tronditin Kosovën

Tri aksidente me pasoja fatale brenda vetëm tri ditësh kanë tronditur Kosovën, duke lënë pas gjashtë viktima dhe disa persona të lënduar. Ngjarjet tragjike, të ndodhura në Maqedoninë e Veriut, Istog dhe Komoran, kanë rikthyer shqetësimin për sigurinë në trafik, ndërsa familje të tëra po përballen me humbje të rënda. Tragjedia e parë ndodhi të…

Lajme

21/07/2026 10:49

Tri aksidente me pasoja fatale brenda vetëm tri ditësh kanë tronditur Kosovën, duke lënë pas gjashtë viktima dhe disa persona të lënduar. Ngjarjet tragjike, të ndodhura në Maqedoninë e Veriut, Istog dhe Komoran, kanë rikthyer shqetësimin për sigurinë në trafik, ndërsa familje të tëra po përballen me humbje të rënda.

Tragjedia e parë ndodhi të dielën në mbrëmje në autostradën Shkup-Bllacë, vetëm pak kilometra para pikëkalimit kufitar me Kosovën. Një veturë me targa të Kosovës u përfshi në një aksident të rëndë, ku humbën jetën tre qytetarë nga Vushtrria – Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani. Viktimat po ktheheshin drejt Kosovës kur ndodhi aksidenti fatal, skhruan lajmi.net.

Humbja e tre bashkëqytetarëve tronditi Vushtrrinë, ndërsa Komuna reagoi duke shpallur të martën ditë zie. Me vendim të kryetarit Ferit Idrizi, flamujt në të gjitha institucionet publike dhe subjektet afariste u ulën në gjysmështizë, ndërsa u pezulluan të gjitha aktivitetet politike, kulturore dhe sportive.

“Me vendim të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dita e sotme është shpallur Ditë Zie në territorin e Komunës së Vushtrrisë, në shenjë nderimi dhe pikëllimi për humbjen tragjike të jetës së bashkëqytetarëve tanë, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani”, thuhej në njoftimin e komunës.

Komuna bëri të ditur se ky vendim është marrë për të nderuar jetën e viktimave dhe për të shprehur solidaritet me familjet e prekura nga tragjedia. Po ashtu, autoritetet komunale u shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjeve Tërnava dhe Shabani.

Vetëm një ditë më vonë, një tjetër aksident me pasoja fatale ndodhi në territorin e Kosovës. Në fshatin Volljakë të Istogut, dy automjete u përfshinë në një aksident, ku humbën jetën dy persona dhe tre të tjerë mbetën të lënduar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, konfirmoi se njëra prej viktimave u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore, ndërsa viktima e dytë ndërroi jetë pasi u transportua për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës. Të lënduarit morën ndihmë mjekësore, ndërsa njësitet policore dhe prokurori nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Seria e aksidenteve fatale nuk u ndal me kaq. Mëngjesin e së martës, rreth orës 05:30, një tjetër aksident me pasoja tragjike ndodhi në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë, në afërsi të Komoranit.

Sipas Policisë së Kosovës, bëhej fjalë për një vetaksident. Si pasojë, një person humbi jetën, ndërsa tre persona të tjerë pësuan lëndime trupore.

Rastin për lajmi.net e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Sot, rreth orës 05:30, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, është shkaktuar një aksident trafiku me pasoja fatale. Si pasojë e aksidentit (vetaksident), një person ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, deklaroi Hoxha.

Në të tria rastet, ekipet e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente intervenuan në vendngjarje, ndërsa prokurorët kompetentë kanë autorizuar hetime për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat që çuan deri te aksidentet.

Bilanci prej gjashtë viktimash dhe disa të lënduarish brenda vetëm tri ditësh e bën këtë një nga periudhat më të rënda për sa i përket aksidenteve në komunikacion gjatë këtij viti. Ngjarjet kanë nxitur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët kanë shprehur dhimbjen për familjet e viktimave dhe kanë bërë thirrje për më shumë kujdes në rrugë.

Policia e Kosovës ka përsëritur apelin për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, kufizimet e shpejtësisë, të shmangin tejkalimet e rrezikshme dhe të mos drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të lodhur. Autoritetet theksojnë se respektimi i rregullave të komunikacionit mbetet mënyra më efektive për të parandaluar humbjen e jetëve në rrugët e vendit. /Lajmi.net/